
Një operacion i gjerë policor kundër trafikut të drogës u zhvillua në orët e para të mëngjesit të sotëm (6 qershor) në Itali, nën koordinimin e Prokurorisë së Foggias (Pulja). Policia e Shtetit ekzekutoi 11 urdhra arresti ndaj një organizate të strukturuar që merrej me trafik dhe shpërndarje të drogave të forta.
Hetimet, të nisura nga Policia e San Severos, zbuluan një rrjet të ndërlikuar që vepronte në provincat Foggia, Barletta-Andria-Trani dhe Molise. Operacioni përfshiu forca të shumta me helikopterë, dronë, makina të blinduara dhe qen antidrogë.
Ndër të arrestuarit është edhe një shtetas shqiptar, i identifikuar si figura kyçe në furnizimin me kokainë dhe kanabis. Ai vepronte si shitës me shumicë dhe si qendër furnizimi për rrjetin kriminal. Mediat italiane raportojnë se grupi përdorte komunikime të koduara, ndërsa telefonatat përdoreshin vetëm në raste të jashtëzakonshme.
Mjetet e përdorura për transport ishin regjistruar në emër të një kompanie me qira makinash në zonën e Garganos. Gjatë hetimeve janë dokumentuar me video dy momente kyçe: një negociatë për dorëzimin e drogës në Ruvo di Puglia mes dy shtetasve shqiptarë (njëri ende i paidentifikuar), si dhe transportimi i rreth 13 kilogramëve lëndë narkotike nën mbrojtjen e armëve të zjarrit.
Shumë prej të arrestuarve kanë precedentë penalë për trafik droge. Hetimet vijojnë për identifikimin e anëtarëve të tjerë të rrjetit, ndërsa të ndaluarit presin masat e sigurisë nga gjykata.