
Mbretëria e Bashkuar është distancuar nga propozimi i presidentit francez Emmanuel Macron për një armëpushim fillestar të kufizuar njëmujor midis Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa Kievi shprehu rezerva për ndalimin e luftimeve pa garanci sigurie.
Dallimet u shfaqën pas një samiti në Londër, në të cilin fuqitë më të mëdha të Evropës u përpoqën të projektonin unitetin dhe të zhvillonin një plan të përbashkët pas një takimi katastrofik në Shtëpinë e Bardhë midis presidentëve Donald Trump të SHBA-së dhe Volodymyr Zelensky të Ukrainës.
Macron tha pas samitit të së dielës se ideja e tij për një armëpushim të kufizuar njëmujor “në ajër, në det dhe në infrastrukturën energjetike” do kishte avantazhin e verifikimit të synimeve të Rusisë. Presidenti francez ka një histori të ideve të politikave të luhatshme për të shtyrë aleatët drejt marrëveshjeve.
Mbretëria e Bashkuar, e cila priti samitin, tha se kryeministri Sir Keir Starmer dëshironte të ecë përpara me planin e paqes “me vrull”. Por aleatët e Starmer thanë se armëpushimi njëmujor nuk ishte “një plan i Mbretërisë së Bashkuar”.
Një zyrtar britanik tha: “Ka mundësi të ndryshme në tryezë, që i nënshtrohen diskutimeve të mëtejshme me partnerët amerikanë dhe evropianë, por një armëpushim njëmujor nuk është rënë dakord”.
Ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, Luke Pollard, paralajmëroi të hënën kundër një pushimi në luftimet në Ukrainë që mund t’i mundësojë Rusisë të rigrupohet.
Ai i tha Sky Neës: “Shqetësimi i vërtetë që kanë ukrainasit është se çdo pushim i shkurtër në luftë thjesht u lejon rusëve kohë të riarmatosen, të rigrupohen dhe të ripushtojnë”.
Zelensky gjithashtu ka hedhur poshtë thirrjet që Ukraina të pranojë një armëpushim të menjëhershëm në luftën e saj me Rusinë. Ndërsa largohej nga samiti në Londër, ai tha se do të ishte “dështim për të gjithë” nëse një ndërprerje e armiqësive nuk do shoqërohej me garanci të hollësishme të sigurisë.
Ai nuk pranoi të komentojë propozimin e Macron.
Presidenti francez i tha Le Figaro të dielën se një armëpushim njëmujor në ajër dhe det do ishte më i lehtë sesa mbikëqyrja e një armëpushimi në terren përgjatë gjithë vijës së frontit.
“Në rast të një armëpushimi, do të ishte shumë e vështirë të verifikohej në front nëse po respektohet,” tha ai.
“Duhet të kuptoni se fronti sot është i barabartë me linjën Paris-Budapest. Në rast të një armëpushimi, do të ishte shumë e vështirë të verifikohej nëse marrëveshja po respektohet”.
Udhëheqësit francezë dhe britanikë shpresojnë se një marrëveshje do përfshinte mbulimin e SHBA-së për trupat nga një “koalicion evropian i të gatshëmve” të vendosur për të siguruar çdo armëpushim në Ukrainë.
Starmer tha pas samitit se ndërsa Evropa “duhet të bëjë një ngritje të vështirë”, “përpjekja duhet të ketë mbështetjen e fortë të SHBA”. Plani europian do shihte gjithashtu që Zelensky të nënshkruajë një marrëveshje me SHBA-në për të ndarë disa nga fitimet nga shfrytëzimi i rezervave minerale të Ukrainës.
Kjo marrëveshje ishte menduar të përfundonte të premten, por u la e panënshkruar pasi Trump e përzuri Zelensky-n nga Shtëpia e Bardhë pas mosmarrëveshjes së tyre në Zyrën Ovale.
Lordi Peter Mandelson, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Uashington, i kërkoi Zelensky-t të nënshkruajë marrëveshjen për mineralet dhe u bëri thirrje Ukrainës dhe liderëve evropianë që t’i japin “mbështetje të qartë nismës që presidenti Trump po merr” për të ndërmjetësuar një paqe.
Në komentet që Pollard tha se nuk ishin “politika e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar”, Mandelson i tha ABC: “Ukraina duhet të jetë e para që do angazhohet për një armëpushim dhe të sfidojë rusët që duhet të ndjekin”.
Zelenskyy tha se ai nuk e sheh nevojën për të bërë ndryshime pas përplasjes në Shtëpinë e Bardhë ose për të krijuar një plan për të shpëtuar marrëdhënien e tij me Trump, megjithëse ai përsëriti mirënjohjen e tij për popullin amerikan.
“Nëse nuk kemi një fund të luftës dhe nuk kemi garanci sigurie, askush nuk është në gjendje të kontrollojë një armëpushim”, tha presidenti ukrainas nga aeroporti Stansted i Londrës ndërsa përgatitej të fluturonte për në Kiev.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani