Vendosni fjalën kyçe....

Kryeministri Rama u jep statusin “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës” fëmijëve të policëve të rënë në detyrë


Pesë fëmijë të tre 3 heronjve që dhanë jetën në krye të detyrës kanë marrë statusin e “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”.

Kryeministri Edi Rama sëbashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, pritën paraditen e të martës, në zyrën e tij, fëmijët e dy policëve të rënë në krye të detyrës, Shkëlzen Dobrushit dhe Roland Likajt.

Rama tha se kjo ndihmesë ekonomike nuk e mbush dot boshllëkun shpirtëror të humbjes së një prindi, por ybeh shqetësimet që ka familja nga ana ekonomike.

“Ne në fakt e kemi pasur goxha merak këtë punë edhe herë pas here kemi diskutuar që s’mund të jetë kjo histori me një ndihmë modeste si ajo që ishte sepse praktikisht janë fëmijë që humbasin një prind i cili është në punë, i cili ka një pagë që e sjell në shtëpi. Kështu që menduam ta bëjmë plus pagë domethënë jo thjesht sa paga por plus në mënyrë që të paktën nga pikëpamja ekonomike të mos kenë asnjë shqetësim për fëmijët dhe asnjë mungesë. Ndërsa përsa i përket pjesës së arsimit pastaj, ato janë ekstra. Kështu që, është mbase pak e vonuar por jo të gjitha gjërat i kemi ditur dhe i dimë, mësojmë rrugës dhe kuptojmë rrugës si mund ti bëjmë më mirë.  Edhe në këtë pikë dhe me këtë status të them të drejtën ndihemi vërtetë të kënaqur sepse plotësohen në mënyrë shumë kuptimplotë të themi nevoja financiare. Pastaj dihet ajo pastaj, që edhe sikur të jetë pesëfish, boshllëkun nuk e mbush dot shpirtëror. Por besoj që këta kanë edhe vetëdijen që duhet t’i nderojnë deri në fund baballarët edhe siç janë krenarë për baballarët ti bëjnë dhe ata të buzëqeshin kur i shohin nga lartë”, tha kryeministri Edi Rama.

Paketa e mbështetjes për fëmijët në prkujdesje të Republikës:

  • – 100 për qind të pagës së prindit për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit që ka humbur jetën, ka vetëm një fëmijë që gëzon statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”,
  • – 70 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka dy fëmijë të mitur;
  • – 50 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka tre fëmijë ;
  • – 40 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka katër fëmijë;
  • – 30 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka më shumë se katër fëmijë që gëzojnë statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.

Pas 15 fëmijëve të parë që përfituan këtë status të veçantë, sot, pas aplikimeve të reja dhe shqyrtimit të dosjeve në fazën e dytë, iu akordua statusi “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës” 2 fëmijëve të tjerë, duke nderuar aktin sublim të prindërve të tyre, të cilët sakrifikuan jetën në krye të detyrës, për mbrojtjen e jetëve të tjera..