Presidenti Donald Trump ka njoftuar se zyrtarët amerikanë, rusë dhe ukrainas do të takohen në një konferencë të sigurisë në Mynih të premten për të biseduar se si do t’i jepet fund luftës në Ukrainë.
“Rusia do të jetë atje me njerëzit tanë”, tha presidenti amerikan. “Ukraina është gjithashtu e ftuar, meqë ra fjala, nuk e di saktësisht se kush do të jetë atje nga ndonjë vend – por njerëz të nivelit të lartë nga Rusia, nga Ukraina dhe nga Shtetet e Bashkuara.”
Megjithatë, Rusia – e cila nuk po merr pjesë zyrtarisht në forumin vjetor në Gjermani – nuk komentoi dhe një zyrtar i lartë ukrainas tha se “bisedimet me rusët në Mynih” “nuk priten”.
Aleatët e NATO-s të Amerikës janë ende duke reaguar ndaj njoftimit të papritur të Trump këtë javë se ai dhe presidenti rus Vladimir Putin kishin rënë dakord në një telefonatë për të filluar bisedimet për t’i dhënë fund luftës, përcjell BBC.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të takohet me Zëvendës Presidentin e Trump, JD Vance, në Mynih.
Zelensky pritet të takohet edhe me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Avioni i Rubios u desh të kthehej në një bazë ajrore amerikane në Maryland vonë të enjten, pasi përjetoi një “çështje mekanike” në rrugën e tij për në qytetin gjerman. Më pas ai duhej të merrte një avion tjetër.
Presidenti amerikan njoftoi takimin trepalësh në Mynih gjatë një konference për shtyp të enjten, pa dhënë detaje të tjera.
Sidoqoftë, këshilltari i Zelensky, Dmytro Lytvyn u tha gazetarëve se delegacioni ukrainas nuk kishte plane të merrte pjesë në një takim të tillë.
Rusia nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të BBC për koment mbi këtë çështje.
Njoftimi i Trump erdhi një ditë pasi ai mbajti telefonata të veçanta fillimisht me Putinin, më pas me Zelenskyn.
Duke i përshkruar bisedimet si “të shkëlqyera”, Trump tha se ekzistonte “një mundësi e mirë për t’i dhënë fund asaj lufte të tmerrshme, shumë të përgjakshme”.
Por ai tha se nuk ishte “praktike” që Kievi t’i bashkohej aleancës ushtarake të NATO-s dhe gjithashtu “e pamundur” që Ukraina të mund të kthehej në kufijtë e saj para pushtimit në 2014.
Zelensky – i cili pranoi se “nuk ishte shumë e këndshme” që Trump kishte folur me Putinin para tij – paralajmëroi se Ukraina nuk do të pajtohej me asnjë marrëveshje paqeje të propozuar nga SHBA dhe Rusia pa përfshirjen e Kievit.
“Ne nuk mund ta pranojmë atë, si një vend të pavarur”, tha ai, duke theksuar se përparësia e tij ishin “garancat e sigurisë”, diçka që ai nuk e shihte pa mbështetjen e SHBA.
Zelensky tha se aleatët evropianë “duhej të ishin gjithashtu në tryezën e bisedimeve”, mes frikës në rritje në të gjithë kontinentin se hapja e Trump ndaj Putinit mund të çojë në një marrëveshje të veçantë SHBA-Rusi për të ardhmen e Ukrainës dhe Evropës.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha për Financial Times se vetëm Zelensky mund të negociojë në emër të vendit të tij me Rusinë, duke paralajmëruar se një “paqe që është një kapitullim” do të ishte “lajm i keq për të gjithë”.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së Kaja Kallas tha: “Çdo zgjidhje e shpejtë është një marrëveshje e ndyrë”.
Në Mynih, qëllimet e Zelenskit në takimin e tij me Vance duken të qarta: të inkurajojë SHBA-në që të vazhdojë të qëndrojë në krah të Ukrainës dhe të mbajë parasysh interesat më të mira të kombit të rrethuar, ndërsa përpiqet të negociojë një fund të luftës.
Çfarë duan amerikanët nga ky takim është më e pasigurt. Vance mund të përpiqet të sigurojë Zelenskyn se ukrainasit do të përfshihen në negociatat e ardhshme të paqes, edhe nëse kohët e fundit duket sikur ata do të jenë një partner i vogël.
Vance, në fakt, mund të jetë duke dhënë një mesazh të prerë – atë që Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth e tha publikisht të hënën, edhe nëse më vonë ai e ktheu disi atë. SHBA nuk parashikon një NATO që përfshin Ukrainën. Dhe për t’i dhënë fund luftës, Ukraina do të duhet të heqë dorë nga territori që aktualisht është nën kontrollin rus
Mund të jetë një pilulë e hidhur që Zelensky ta gëlltisë, por lloji i ndihmës shtesë ushtarake të SHBA-së për Ukrainën që përfundimisht do t’i duhej për të vazhduar luftën duket e pamundur në këtë pikë.
As Trump dhe Partia Republikane e Trump në Kongres nuk kanë shumë interes për të vazhduar mbështetjen.