Vendosni fjalën kyçe....

Përplasen trenat në Çeki, 4 viktima


Katër persona nga Sllovakia dhe Ukraina u vranë dhe më shumë se 20 u plagosën kur një tren ekspres udhëtarësh dhe një tren mallrash u përplasën në qytetin çek Pardubice të mërkurën vonë, thanë zyrtarët e urgjencës dhe qeverisë.

Përveç vdekjeve, tre persona u plagosën rëndë dhe të paktën 20 pësuan lëndime të lehta në përplasjen, e cila ndodhi rreth orës 23:00 në korridorin kryesor hekurudhor nga Praga në lindje, tha ministri i Brendshëm Vit Rakusan.

Treni ekspres, i operuar nga shërbimi privat çek “RegioJet”, po udhëtonte gjatë natës nga Praga në Kosice në Sllovakinë lindore dhe në vazhdim për në qytetin ukrainas Chop, sipas Administratës Çeke Hekurudhore.

Treni i udhëtarëve nuk kishte ndaluar në një semafor të kuq, tha Zyra e Inspektimit të Sigurisë Hekurudhore, duke shtuar se ka të ngjarë të duhen muaj për të përcaktuar nëse shkaku ishte gabim njerëzor apo një defekt teknik.

Viktimat ishin dy gra sllovake dhe dy gra ukrainase, thanë ministritë e jashtme të Sllovakisë dhe Ukrainës. Policia çeke nuk ka dhënë hollësi për viktimat.

RegioJet ofroi mbështetje dhe kompensim për viktimat në një deklaratë duke shprehur dhimbjen e saj.

“Ne do të bëjmë gjithçka për një hetim të duhur,” tha pronari i saj Radim Jancura.

Shërbimet e shpëtimit thanë se më shumë se 300 udhëtarë kishin qenë në bord dhe dhjetëra njësi policie, zjarrfikëse dhe emergjente ndihmuan në evakuimin e vagonëve.