Vendosni fjalën kyçe....

Vrau një person pas sherrit për gomën e makinës, arrestohet pas disa vitesh ish-agjenti i SHISH-it i dënuar me 10 vjet burg


Pas disa vitesh në arrati, është arrestuar këtë të martë ish-agjenti i SHISH-it, Xhevahir Mzhika, i cili akuzohet se ka vrarë një person.

Ngjarja për të cilën akuzohet Mzhika ka ndodhur në gusht të vitit 2014, në zonën e njohur si ish-­Fusha e Aviacionit në kryeqytet.

51-vjeçari është dënuar nga gjykata me 10 vite burg, për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje të shtetasit Florian Selmani, pas një konflikti mes tyre të lindur për një gomë automjeti.

NJOFTIMI I POLICISË

Në vijim të punës për lokalizimin e vendndodhjes dhe kapjen e personave në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë bërë lokalizimin e vendndodhjes së një personi të shpallur në kërkim për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.

Mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Reagimi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim Xhevahir Mzhika, 51 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas u kap në rrugën “Babë Rexha”, anës lumit, dhe në momentin e ndërhyrjes së Policisë ka tentuar të largohet, por është neutralizuar nga shërbimet e Policisë. Këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 10 vite burgim për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”. 51-vjeçari është autori i ngjarjes së ndodhur më datë 16.08.2014, tek isha Fusha e Aviacionit, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasin Florian Selmani.