Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj: Më e rrezikshme se çdo kërcënim ndaj SPAK është krijimi i ndjesisë se janë të vetmuar


Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Enkelejd Alibeaj, në emisionin “Kjo Javë” në News24, tha se mbështetja ndaj SPAK shkon edhe më shumë se sa miratimi i kërkesës për zgjatjen e mandatit.

Alibeaj tha se që të kemi një prokurori të suksesshme duhet që të kemi prokurorë që të ndjehen të qetë në punën e tyre, pra të mos mendojnë se çfarë do të ndodhë me karrierën e tyre.

Në këtë kuadër, Alibeaj tha se PD ka paraqitur në Kuvend një projektligj që prokurorët e SPAK të ruajnë statusin e tyre, qoftë financiar, dhe të kalojnë si Prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme.

Lidhur me kërcënimet ndaj Prokurorëve, Alibeaj u shpreh se ata janë në një lloj rreziku që vjen nga rreziku i rrugës, por nga ana tjetër, puna e tyre i ka këto vështirësi, dhe mbrojtja e tyre apo familjes, ndaj iu është dhënë.

Alibeaj tha se më e rrezikshme se çdo kërcënim rruge është fakti i krijimit të një ndjesie të vetmisë ndaj SPAK.

“U bashkuan 110 deputetë kundra SPAK”, tha Alibeaj, referuar miratimit të amnistisë, duke liruar nga burgu ose ulur dënime, për personazhet që janë hetuar dhe gjykuar nga SPAK dhe GJKKO.

Alibeaj tha se politika duhet ti dalë në krah SPAK. “Duhet ti japim mbështetje këtyre njerëzve që anatemohen edhe nga ndërkombëtarët, edhe nga media, edhe nga politika”, tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së tha se në Komisionin e Ligjeve nuk duhej të ishin, në momentin që SPAK paraqiti raportin, deputetët që janë në konflikt interesi me këtë institucion.

“Jo më kot 70 % e mbledhjes së Komisionit të Ligjeve ishin në konflikt interesi me SPAK, duke qenë kështu në antitezë me 70% të publikut që mbështet SPAK”, tha Alibeaj.