Vendosni fjalën kyçe....

Ish-presidenti përpiqet të largohet nga Ukraina për herë të dytë radhazi


Ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko u përpoq të largohej sërish nga vendi të shtunën, raportuan mediat lokale, duke cituar burime të sigurisë.

Ish-udhëheqësi kishte tentuar të kalonte kufirin me Poloninë një natë më parë, por ishte kthyer nga rojet kufitare.

“Poroshenko hyri me makinë në korsinë e sigurisë për të anashkaluar radhën dhe u ndalua nga oficerët e policisë.” – tha një burim sigurie për gazetën Strana.

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse përpjekja e dytë e Poroshenkos ishte apo jo e suksesshme. Të dy përpjekjet për kalime kufitare erdhën në pikën e kontrollit Rava-Ruska në perëndim të Lvovit.

Zyrtarisht, Poroshenko është përpjekur të largohet nga vendi për të marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në Lituani si deputet ukrainas dhe udhëheqës i partisë së tij ‘Solidariteti Evropian’.

Megjithatë, ish-presidenti po përballet me akuza për tradhti të lartë në Ukrainë lidhur me marrëveshjet e dyshimta të biznesit me republikat e shkëputura të Donbass gjatë kohës së tij në detyrë, pavarësisht rolit të tij në përshkallëzimin e luftës civile.

Sipas partisë së tij, Poroshenko ka një letër udhëtimi të vlefshme nga parlamenti i Ukrainës për të marrë pjesë në Asamble, e cila do i mundësonte atij të largohej lirisht nga vendi.

Megjithatë, gjatë përpjekjes së tij të parë për të kaluar në Poloni, roja kufitare thuhet se nuk ishte në gjendje të vërtetonte vërtetësinë e dokumenteve të tij, të cilat me sa duket kishin një kod QR të palexueshëm.

Një kolege anëtare e partisë së ‘Solidaritetit Evropian’, politikania ukrainase Irina Gerashchenko, akuzoi autoritetet ukrainase për shënjestrimin e qëllimshëm të ish-presidentit. Poroshenko është politikani i vetëm që hasi në vështirësi për t’u larguar nga vendi për takimin e NATO-s, pohoi ajo në një postim në mediat sociale të shtunën.