Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Pse Rama nuk i mori Peleshin dhe Xhaçkën me vete në Kiev


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me vizitën e kryeministrit Edi Rama në Kiev.

Berisha shtron pyetjen se pse kryeministri nuk mori si shoqërues ministrat Peleshi dhe Xhaçka. Sipas tij kjo sepse Rama e dinte se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do t’i ngrinte atij çështjen e qëndrimit të dyfishtë lidhur me agresionin rus.

Berisha thotë se Rama në një anë denoncon agresionin rus në Ukrainë, por nga ana tjetër lejon turistët rusë të vijnë të pushojnë në vendin tonë.

“Pse Rama përjashtoi nga udhëtimi në Ukrainë, Peleshin e mbrojtjes dhe Xhaçkën e të jashtmes!
Të dashur miq, Rama shkoi në Ukrainë i shoqëruar vetëm nga Baton Stanishiq, Arben Malavita dhe Elisa e Skënderbuçit.
Nga udhëtimi u përjashtuan ministri i mbrojtjes Peleshi dhe e jashtmia Xhaçka. Udhëtimi i këtyre të fundit u refuzua nga vetë Rama. Kjo, sepse ai e dinte se në bisedime Presidenti Zelenski do t’i ngrinte Ramës çështjen e qëndrimit të tij të dyfishtë ndaj agresionit rus kundër Ukrainës.
Dihet se Shqipëria nga njëra anë ka denoncuar agresionin rus ndaj Ukrainës dhe zbatuar sanksionet ndaj Rusisë, por nga ana tjetër, Edi Rama pranon turistët rus vrasës, përdhunues dhe pengmarrës në luftën në Ukrainë, të cilët vijnë nga Beogradi në Shqipëri për pushime dhe energji të reja për t’u kthyer më pas në front dhe vazhduar genocidin e krimet kundër njerëzimit, kundër qytetarëve të Ukrainës.
Përveç kësaj, Rama, në shkelje të sanksioneve, ka lejuar ankorime misterioze të anijeve ruse në portet tona. Këto bisedime nuk mund t’i dëgjonin Peleshi dhe Xhaçka, sepse pa u kthyer në Shqipëri, gojët e tyre që nuk mbyllen kurrë, do të zbardhnin çdo gjë.”– shkruan Berisha.