Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Vetingu i politikanëve të bëhet çdo vit, fshehin paratë e shqiptarëve dhe na japin mend për korrupsion


Në fjalën e tij në Kuvendin Zgjedhor të degës numër 5 në Tiranë, kreu i PD, Lulzim Basha, përsëriti nevojën urgjente për vettingun e politikanëve.

Ai tha se vetëm vitin e shkuar dëmi ekonomik i shkaktuar nga zyrtarët e korruptuar kap vlerën e 2 miliardë eurove.

“2 miliardë euro, shifër e parrokshme për mendjen përllogaritet të jetë dëmi që zyrtarët e lartë shqiptarë i kanë shkaktuar vetëm vitin e kaluar, ose vitin paraardhës buxhetit të shtetit. Para korrupsioni të cilat janë investuar në masë të madhe në këtë ekonomi të dytë informale apo jashtë vendit. 2 miliardë euro janë baraz me buxhetin e Republikës së Kosovës. Buxheti i Policisë së Shtetit vërtitet tek 300 milionë euro në vit. Ndërsa zyrtarët e korruptuar shqiptar mes vetit kanë përvetësuar, vjedhur dhe investuar në skema të pastra të investimit të parave 7 herë më shumë, vetëm në një vit. 

Kjo është analiza, këto janë faktet, jo hartimet boshe. Që të luftosh korrupsionin, duhet ta shkulësh me themel këtë kancer në zemër të politikës dhe për këtë ka vetëm një rrugë. Fshehin paratë e vjedhura të qytetarëve dhe na japin mend për luftën kundër korrupsionit. A ka derman për këtë? Sigurisht që ka, është e njëjta rrugë që duhet përshkuar për 200 e ca politikanët kryesor të vendit, vit pas viti duhet bërë vettingu u pasurisë së politikanëve, i lidhjeve të tyre të papërshtatshme, i pasurisë së rrethit të tyre familjar, të rrethit të tyre shoqëror, dhe për këtë Partia Demokratike, ne demokratët, grupi ynë parlamentar ka depozituar prej 6 nëntorit të vitit të kaluar ligjin për vettingun e politikanëve. Jo fjalë po akte konkrete”, tha ai.

Gjithashtu në fjalën e tij kreu i PD, Lulzim Basha, përsëriti edhe njëherë qëndrimin e PD në mbështetje të SPAK.

Ai kërkoi edhe njëherë votimin e amendamenteve të propozuara në Kuvendin e Shqipërisë, pasi siç u shpreh, forcojnë më shumë institucionet e drejtësisë.

“I tillë është edhe qëndrimi ynë i pakushtëzuar në mbështetje të drejtësisë, në mbështetje të SPAK, sepse është qëndrimi në mbështetje të shtetit të së drejtës. Prandaj Partia Demokratike, ka qëndruar dhe qëndron jo thjesht me fjalë, por me fakte si ato që ndodhen të depozituara në Kuvendin e Shqipërisë, për fuqizimin e SPAK-ut. 

Forcim dhe jo dhe jo dobësim të institucioneve të drejtësisë, fuqizim institucioneve të drejtësisë, inkurajim i drejtësisë për të luftuar dhëmbë për dhëmbë korrupsionin politik, pavarësisht prej ngjyrave, pavarësiht prej emrave, ky është qëndrim i prerë, mbështetja jonë për SPAK, për GJKKO, për BKH, për drejtësinë. Rekordet e korrupsionit janë arritur me këtë kryeministër, janë arritur me këtë qeveri. 

Tani të gjithë kemi kohë që flasim për korrupsionin, edhe ne edhe ata që flasin në emrin tonë e tundin flamurin tonë, por jo të gjithë jemi njësoj. Nuk mund të jesh kundër korrupsionit ditën, e kundër SPAK-ut natën. Kjo nuk është vetëm paqartësi politike, kjo është vrastare për interesat e demokratëve sepse është e rrezikshme për interesin publik. 

Prandaj bashkë me propozimet tona në Parlament për të fuqizuar SPAK-un, ndodhet edhe propozimi tjetër për të hequr imunitetin parlamentar. Ky është një qëndrim pa ekuivok, ky është një qëndrim që ndan ditën nga nata, fjalët nga veprat”, tha ai.