Vendosni fjalën kyçe....

Pusi kërkimor Dumrea Deep-1, Eni Albania: Punimet përgatitore në dhjetor 2024


Eni Albania ka rishikuar afatet e punimeve përgatitore për pusin kërkimor Dumrea Deep 1, duke njoftuar se ato do të zënë vend në dhjetor 2024.

Më herët, në një dokument publik, kompania pranonte se këto punime do të zinin vend në fund të vitit që lamë pas.

Duket se procedurat janë shtyrë në kohë për të plotësuar fazën e nevojshme të konsultimeve dhe tashmë, me një dokument të ri Eni Albania ka bërë të ditur detajet e tjera të investimit që lidhen me marrëveshjen hidrokarbure që ka me shtetin shqiptar.

Referuar dokumentit të prillit, që bën një vlerësim të thelluar të ndikimit në mjedis, kompania thekson se vendndodhja e zonës së projektit për pusin kërkimor Dumrea Deep-1 gjendet brenda territorit të Njësisë Administrative Papër të Bashkisë Elbasan.

Vendbanimet më të afërta me zonën e projektit janë fshati Broshkë, afërsisht 600 m në veriperëndim të sheshit të shpimit dhe fshati Murrasi, afërsisht 700 m në verilindje të sheshit të shpimit. Rreth 1.8 km në juglindje të sheshit të shpimit ndodhet fshati Valasi.

I njëjti dokument parashikon se sipërfaqja e tokës ku do të shpohet pusi dhe ku do të vendosen pajisjet e tjera shtesë (përfshirë zonën ku do të vendosen vaskat e ujit/lëngut të shpimit) do të jetë përafërsisht 20,000 m2 (2 hektarë)

Afati kohor për zbatimin e projektit

Dokumenti i rishikuar i kompanisë që është dorëzuar pranë autoriteteve jep disa detaje të reja sa takon afateve të mundshme të projektit për pusin kërkimor të tilla si:

Punimet përgatitore: parashikohen të nisin në dhjetor 2024 dhe të përfundojnë në tremujorin e 1-rë 2025;

Mobilizimi: transporti i sondës së shpimit dhe pajisjeve ndihmëse në sheshin e shpimit, montimi i sondës së shpimit, inspektimi dhe miratimi nga palë të treta të kualifikuara, në TM1-TM2 të vitit 2025 (afërsisht 40 ditë);

Koha e shpimit: përafërsisht 211 ditë duke përfshirë mbylljen dhe braktisjen e pusit.

Në fund të operacioneve, pusi do të izolohet dhe sheshi do të rikthehet në gjendjen e përdorimit të tij fillestar (gjendja përpara nisjes së operacioneve të shpimit). Procedurat e braktisjes së pusit, d.m.th., çmontimi i sondës së shpimit dhe demobilizimi i pajisjeve dhe shërbimeve normalisht kërkon 24-30 ditë. Rikthimi i vendndodhjes së sheshit të pusit dhe kampit të akomodimit në kushte origjinale do të zgjasë rreth 4-6 muaj.

Marrëveshja me Eni

Qeveria e cila kishte kohë që nxirrte për interes Blloqe të lira nafte arriti të nënshkruante me kompaninë italiane ENI në 2019-ën një marrëveshje me kushte të reja sipas kuadrit të ri ndryshe nga ato ekzistuese dhe ku pritet që Shqipëria të përfitojë më shumë.

Kjo do të thotë se në rast zbulimi naftë dhe nisje prodhimi vendi ynë përfiton që në fuçinë e parë dhe jo në pritje të nxjerrjes së investimit nga ana e kompanisë.

Në atë kohë kur u nënshkrua edhe marrëveshja qeveria shqiptare deklaroi se është rënë dakord me kompaninë që përftimi të mos jetë vetëm në aspektin financiar duke marrë më shumë para në buxhet, por edhe sa i takon kapitalit njerëzor./N.Maho

VINI RE: Ky material është pRonësi intelektuale e Monitor