Vendosni fjalën kyçe....

Meta lajmëron ndryshimin e ngjyrave të logos së Partisë së Lirisë (Video)


Një ditë pas Konventës, Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka lajmëruar ndryshimin e ngjyrave të logos së partisë. Teksa ka ndarë një video me ish-zv.kryeministren e Kosovës, Edita Tahiri, meta lajmëron edhe vendosjen e ngjyrës së gjelbër në logon e Partisë së Lirisë.

Sipas Metës, kjo ngjyrë simbolizon pranverën dhe rigjenerimin, ndërsa përmes Konventës synohet Rithemelimi i partisë.

“Kënaqësi e veçantë që pas Konventës së djeshme historike të Partisë së Lirisë, që do ta rivitalizojë atë në mënyrë të jashtëzakonshme, të shijojmë bashkë me znj. Edita Tahiri, gjelbërimin dhe lulet, në një ambient fantastik dhe madhështor për shkak të thjeshtësisë dhe origjinalitetit, në Priskë të Tiranës.

Me këtë rast shpreh kënaqësinë që ngjyrën e gjelbër të pranverës dhe rigjenerimit, nga dje e kemi pjesë të logos së Partisë të Lirisë! Ju urojmë një të diel të paqtë dhe të gëzuar me familjen dhe të dashurit tuaj”, shkruan Ilir Meta.

Ilir Meta mblodhi dje, 27 prill, Konventën Kombëtare për 6 orë me qëllim spastrimin e partisë nga ata që i quan ‘tradhtarë’ dhe shkëputje nga nepotizmi! Kryemadhi u tërhoq nga beteja politike me Ilir Metën ndërsa ai sulmoi ndërkombëtarët dhe Bashën. Presidenti i PL u vu re që nuk sulmoi SPAK, ndryshe nga herët e tjera.