Vendosni fjalën kyçe....

Tesla shkurton 10% të fuqisë punëtore


Tesla do pushojë nga puna më shumë se 10% të fuqisë punëtore të saj me pagë, sipas një emaili të brendshëm të kompanisë dërguar punonjësve nga kreu Elon Musk.

Reuters të hënën citoi një email dërguar të paktën tre punonjësve amerikanë që i njoftonte se shkarkimi i tyre ishte efektiv menjëherë.

Sipas blogut EV Electrek, që ishte i pari që raportoi për pushimet nga puna, nuk është e qartë se cilat ekipe në Tesla do preken. Me numrin e punonjësve të kompanisë në rreth 140,000 globalisht, masa ka të ngjarë të prekë të paktën 14,000 punonjës.

“Ndërsa e përgatisim kompaninë për fazën tonë të ardhshme të rritjes, është jashtëzakonisht e rëndësishme të shikojmë çdo aspekt të kompanisë për pakësimin e kostove dhe rritjen e produktivitetit,” thuhet se tha Musk në memon dërguar të gjithë stafit.

“Si pjesë e kësaj përpjekjeje, ne kemi bërë një rishikim të plotë të organizatës dhe kemi marrë vendimin e vështirë për të ulur numrin tonë të punonjësve me më shumë se 10% globalisht. Nuk ka asgjë që urrej më shumë, por duhet bërë”, thuhet në memorandum.

Duke komentuar raportet e pushimeve nga puna, Musk postoi në X: “Rreth çdo pesë vjet, ne duhet të riorganizojmë kompaninë për fazën tjetër të rritjes.”

Herën e fundit që Musk njoftoi shkurtime të mëdha të vendeve të punës ishte në vitin 2022, pasi u tha drejtuesve se kishte një “ndjenjë super të keqe” për ekonominë amerikane. Ai tregoi në atë kohë se besonte se kompania ishte me staf të tepërt.

Sipas një raporti të Reuters në fillim të këtij muaji, i cili më vonë u mohua nga Musk, Tesla ka hequr një projekt të planifikuar prej kohësh për një automjet me kosto të ulët dhe në vend të kësaj do përqendrohet në një robotaksi të ri.