Vendosni fjalën kyçe....

Arlind Qori: Karriera politike e Veliaj ka mbaruar pasi të dalë nga SPAK-u


Arlind Qori, drejtues i “Lëvizja Bashkë”, deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, se të gjithë e shikojnë kreun e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si hajdut, pas aferave në Bashki dhe ai duhet të ndiqet penalisht. Qori tha se pasi të dalë nga dera e SPAK-ut nesër për Veliajn ka mbaruar karriera e tij politike.

“Më bën përshtypje kapadaillëku i Erion Veliajt. Është i akuzuar nga e gjithë shoqëria për hajdut. E gjithë shoqëria është e bindur se ka futur duart dhe ka përvetësuar para publike në aferën e inceneratorëve dhe korrupsioni i drejtorëve. Vijon të sillet si kapadai. Sillet sikur do të dalë i pafajshëm dhe bashkëpunëtor i drejtësisë. Pret ndoshta që t’i ngrejnë monument në SPAK.

Ky kapadaillëk është akoma më i shëmtuar kur mendon se mbi cilin qytet dhe në cilin vend qeveris një politikan i korruptuar si Veliaj. Qeveris një bashki ku punëtori mesatar paguhet 350 mijë lekë në muaj dhe një pensionist 80 mijë lekë.

Ai thotë jam në krye të gjithçkaje dhe në vend që të japë llogari, do të shkojë në SPAK të kërkojë llogari.

Ai është i dyshuari kryesor.

Kur Veliaj të dalë nga SPAK, do të jetë simboli i fundit të karrierës politike të Erion Veliajt. Karriera e tij politike do të marrë fund, sepse nuk mund t’ia shesë më as padroni i tij Edi Rama, qytetarëve për alternativë.

Dëgjova një ditë një përfaqësues të PD-së që tha ai le të japë dorëheqjen dhe nuk kërkonte vajtjen e tij në burg. Nëse ai ka vjedhur, duhet të bëjë burgun ditë më ditë. Kanë vajtur njerëzit në burg sepse kanë rilidhur energjinë elektrike, apo që janë vetëvrarë.

Nuk mund t’i themi mjafton të japësh dorëheqjen. Erion Veliaj duhet të japë llogari penalisht”-tha Qori.