Vendosni fjalën kyçe....

SHBA i dërgon Ukrainës armët e sekuestruara iraniane për rebelët Houthi


Ushtria amerikane tha se i ka dhënë Ukrainës armë të vogla dhe municione që u kapën gjatë dërgimit nga forcat iraniane te rebelët Houthi të mbështetur nga Teherani në Jemen.

“Qeveria e SHBA transferoi mbi 5,000 AK-47, mitralozë, pushkë snajper, RPG-7 dhe mbi 500,000 fishekë të municionit 7.62 mm tek forcat e armatosura ukrainase“, postoi Komanda Qendrore e SHBA (CENTCOM) në X, të martën, përcjell DW.

“Këto armë do të ndihmojnë Ukrainën të mbrohet kundër pushtimit të Rusisë” dhe janë materiale të mjaftueshme për të pajisur një brigadë, shtoi postimi.

Transferimi erdhi pasi Ukraina vuan nga mungesa të konsiderueshme municionesh dhe ligjvënësit republikanë amerikanë bllokojnë ndihmën e re, por ai nuk adreson nevojën e Kievit për artikuj kyç si artileria dhe municionet e mbrojtjes ajrore.

Armët dhe municionet u sekuestruan midis majit 2021 dhe shkurtit 2023 nga katër “anije pa shtetësi” ndërsa furnizimet po transferoheshin nga Garda Revolucionare e Iranit te rebelët Houthi të Jemenit, tha CENTCOM.

Uashingtoni bëri një transferim të ngjashëm në Ukrainë në fillim të tetorit, duke siguruar 1.1 milion fishekë municionesh 7.62 mm që u sekuestruan nga forcat iraniane në rrugën për në Jemen.