Vendosni fjalën kyçe....

BDI-ja flet për skenar rus në Maqedoninë e Veriut, Xhaferi e përgënjeshtron


BDI-ja shqetësohet nga skenarët e mundshëm të bllokut opozitar që sipas tyre mund të nxisë trazira politike pas 8 majit.

Bashkimi Demokratik për Integrim me shqetësim të madh po përcjell akuzat, shpifjet dhe fyerjet që opozita i bën kandidatit për president Bujar Osmani, si dhe ndaj kryeministrit Talat Xhaferit, ndërsa alarmon për skenar rus që synon trazira politike pas 8 majit”, thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Por kryeministri teknik, Talat Xhaferi nuk ndjehet i shqetësuar. Xhaferi përgënjeshtron BDI-në duke saktësuar se në mbledhjen e fundit të Këshillit koordinues të sigurisë nuk është diskutuar për diçka të tillë.

Tash për tash nuk ka ashtu të dhëna. Raportuan për punën e tyre institucionet përkatëse, Agjencia për Zbulim, Agjencia për Siguri Kombëtare dhe sektori i veçantë për siguri në Ministri të Mbrojtjes. Aktualisht nuk ka të dhëna. Por tendenca për veprime hibride ka dhe kjo duhet të nxis institucionet që të marrin masa parandaluese”, deklaroi Talat Xhaferi, Kryeministër Teknik.

Opozita shqiptare i cilëson hipokrite akuzat e BDI-së. Sipas kreut të ASH-së, Arben Taravarit BDI-ja është partia e vetme shqiptare e cila ka lidhje me satelitin e Rusisë në Ballkan.

Këto janë akuza qesharake dhe BDI-së nuk i ngjan t’i thotë. Nëse dikush nga partitë shqiptare ka afërsi me Serbinë, ajo është BDI. Serbia është përfaqësuese e Rusisë në Ballkan. Këto janë akuza të pabaza. Nuk mundet opozita të organizon diçka kur nuk ka pushtet. Nëse dikush është e shqetësuar dhe nervozuar në këtë kohë, unë mendoj se më shumë se BDI nuk është askush”, u shpreh Arben Taravari, Kryetar i ASH-së.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të paktën publikisht nuk kanë dalë konstatime të cilat japin indikacione për skenarë të rrezikshëm të motivuara nga Rusia pas proceseve zgjedhore të muajit prill dhe maj.