Vendosni fjalën kyçe....

Dodik pas deklaratës së Escobarit: Republika Sërpska ka fuqi


Presidenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, Millorad Dodik, tha të shtunën mbrëma se entiteti serb “ka forcë” dhe se ai mund të funksionojë edhe “nën trysni të madhe tinëzare” nga Shtetet e Bashkuara, pasi zyrtari i lartë amerikan Gabriel Escobar theksoi të premten se ky entitet nuk ka kapacitet për t’u pavarësuar.

“Ata frikësohen se nuk po qeverisin këtu ashtu siç duan, dhe pikërisht këtu Republika Sërpska e tregon fuqinë e saj. Ata po përpiqen të shkatërrojnë Marrëveshjen e Dejtonit për paqen, dhe për këtë na fajësojnë ne. Prandaj Republika Sërpska ka forcë”, tha Dodik në rrjetin social X.

Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të premten se nuk mendon se Republika Sërpska ka forcë të ndahet nga Bosnja, me gjithë kërcënimet e Dodikut për ta bërë një gjë të tillë.

“Ndonëse kërcënimet e Dodikut shkaktojnë dëm, nuk mendoj që një entitet i varfër me 750.000 njerëz, që është në borxhe në rritje, do të ketë kapacitet për të sfiduar NATO-n apo për të shpallur pavarësinë, dhe për të qenë i qëndrueshëm”, tha Escobar për Radion Evropa e Lirë.

Prej se u arrit Marrëveshja e Dejtonit, e cila i dha fund luftës së Bosnjës të viteve 1992-95, Bosnja e Hercegovina përbëhet nga federata bosnjako-kroate dhe nga Republika Sërpska, nën një qeveri të dobët qendrore.

Ajo mbikëqyret nga një përfaqësues i lartë civil me mbështetjen e OKB-së dhe me një pushtet të madh, pozitë që aktualisht mbahet nga Christian Schmidt, i cili është duke u kundërshtuar nga Dodik

Dodik tha të shtunën se qëllimi i Escobarit ishte ta shfaqë Republikën Sërpska “si një vend i keq, i cili nuk mund të jetojë pa ndihmën dhe mbështetjen e tyre”.

“Nëse amerikanët po lobojnë që Kosova të jetë shtet, pse t’u pengojë Republika Sërpska si shtet. Republika Sërpska ka paga më të mira, ekonomi më të sigurt dhe eksport më të madh, më pak borxhe; ka gjithçka më të mirë se ai përbindëshi nga i cili ata po përpiqen të krijojnë shtet”, shkroi Dodik.

Dodik pretendoi se Shteteve të Bashkuara janë përpjekur ta “dëmtojë” Republikën Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë “për tri dekada” dhe se deklarata e fundit e Escobarit nuk është rastësi dhe vjen në një kohë kur Bosnja e Hercegovina duhet t’i hapë bisedimet për anëtarësim në Bashkim Evropian.

“Ata nuk bëjnë asgjë, na sanksionojnë, i kërcënojnë bankat për të mos bashkëpunuar me Qeverinë, me autorietet e Republikës Sërpska, e akuzojnë Dodikun, mua, janë të bezdisur nga lidhjet tona me presidentin (e Rusisë) Vladimir Putin dhe që ne po i nisim bisedimet me BE-në”, shtoi ai.

Dodiku është duke u përpjekur tash e dy vjet që entiteti i Bosnjë e Hercegovinës të marrë pushtetin e shtetit dhe të krijojë institucione paralele, duke kërcënuar se Republika Sërpa do të ndahet nga Bosnja e Hercegovina përgjithmonë.

Për shkak të “aktiviteteve të tij kundër marrëveshjes së Dejtonit”, Dodik është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.

Dodik më herët ka deklaruar se nuk ka frikë nga paralajmërimet amerikane dhe ka kërcënuar se do ta kthejë kufirin e entitetit në kufi shtetëror.

Ambasada amerikane në Sarajevë paralajmëron për rrezikun e politikës separatiste të Dodikut, duke deklaruar se ajo “vë në rrezik perspektivën evropiane të Bosnjë e Hercegovinës, demokracinë dhe ekonominë e saj”./REL