Vendosni fjalën kyçe....

Pogba dënohet me katër vite pa luajtur për doping


Paul Pogba është dënuar me katër vjet përjashtim nga futbolli për doping, sipas një sërë raportesh.

Mesfushori francez doli pozitiv me testosteron pas ndeshjes së parë të sezonit të Juventusit kundër Udineses dhe tani ka pësuar pasoja të rënda.

Avokatët e Pogbas refuzuan një marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe shpresonin t’i jepnin klientit të tyre një dënim më të lehtë pasi pretenduan se ai kishte gëlltitur aksidentalisht substancën që shkaktoi testin pozitiv.

Megjithatë, prokuroria nuk e besoi mbrojtjen e Pogba-s dhe tani atij i është dhënë një ndalim që mund t’i japë fund karrierës së tij. Pogba ka konfirmuar synimin e tij për të apeluar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

Pogba do të mbushë 31 vjeç muajin e ardhshëm, që do të thotë se ai nuk do të jetë në gjendje të kthehet në fushë derisa të jetë pothuajse 35 vjeç, nëse apelimi i tij nuk është i suksesshëm.