Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky: 31.000 ushtarë ukrainas u vranë në luftë, shpresoj për samit të paqes së shpejti


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë të dielën se 31.000 ushtarë ukrainas janë vrarë prej se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës para dy vjetëve.

Duke folur në një konferencë për media në kryeqytetin ukrainas për shënimin e dyvjetorit të pushtimit nga Rusia – i cili nisi më 24 shkurt 2022 – Zelensky shpresoi se një samit i liderëve botërorë do të mbahet në Zvicër në muajt e ardhshëm për të biseduar për vizionin e tij për paqe.

“Deri tani në këtë luftë janë vrarë 31.000 pjesëtarë të ushtrisë. Jo 300.000, jo 150.000, e as sa  Putin dhe rrethi i tij mashtrues kanë gënjyer. Por, sidoqoftë, secila prej këtyre humbjeve është flijim i madh për ne”, tha Zelensky.

Zelensky shtoi se nuk do të flasë për numrin e të plagosurve, për shkaqe sigurie.

Duket se kjo është hera e parë që Ukraina flet zyrtarisht në hollësi për numrin e përgjithshëm të ushtarakë të vrarë.

Herën e fundit kur Kievi foli për numrin e humbjeve në betejë ishte në fund të vitit 2022, kur zyrtari presidencial Mykhailo Podolyak tha se 10.000 deri në 13.000 ushtarë ukrainas ishin vrarë.

Zelensky pretendoi se humbjet e Rusisë janë 180.000 ushtarë të vrarë dhe 500.000 të plagosur në këtë luftë, që është shifër shumë më e lartë se vlerësimet e deritanishme, por e pamundur për t’u konfirmuar.

Rusia nuk i zbulon humbjet në luftë. Më 24 shkurt, presidentja e Zvicrës, Viola Amaherd, tha se vendi i saj neutral shpreson se do ta mbajë një konferencë të nivelit të lartë për paqe në muajt në vijimë.

“Shpresoj se samiti do të mbahet këtë pranverë. Ne nuk duhet ta humbim këtë nismë diplomatike”, tha Zelensky.

Ai shtoi se pret që kjo nismë e paqes t’i prezantohet Moskës.

Ndërkohë, Zelensky gjithashtu tha se fitorja e Ukrainës në këtë luftë varet nga mbështetja prej Perëndimit, e cila është përballur me rezistencë kryesisht nga ligjvenesit e Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara.

Ai tha në konferencë se është i sigurt se paketa vendimtare me ndihmë për Ukrainën do të miratohet përfundimisht nga Senati amerikane.

“Se a do të humbë, apo se a do të fitojë Ukraina do të jetë e vështirë për ne, dhe nëse do të ketë numër të madh të viktimave, kjo varet nga ju, nga partnerët tanë, nga bota perëndimore”, tha Zelensky.

Ai shtoi se “ka shpresë për Kongresin. Dhe, jam i sigurt se do të jetë pozitive”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL