Vendosni fjalën kyçe....

Votuesit e shpërblejnë për shpartallimin e bandave, Bukele rizgjidhet me fitore dërrmuese në El Salvador


Presidenti Nayib Bukele siguroi të dielën një fitore dërrmuese në zgjedhjet e El Salvadorit me votuesit që e shpërblyen atë për goditjen e ashspër të grupeve kriminale duke rikthyer sigurinënë vendine  gërryer prej dekadash nga krimi.

Mijëra mbështetës të Bukeles, të veshur me blu, u mblodhën në sheshin qendror të kryeqytetit San Salvador për të festuar rizgjedhjen e tij, të cilën udhëheqësi 42-vjeçar e quajti një “referendum” për qeverinë e tij.

Bukele e shpalli veten fitues përpara se të shpalleshin rezultatet zyrtare, duke pretenduar se kishte marrë më shumë se 85% të votave. Rezultatet e përkohshme treguan se Bukele fitoi 83% të mbështetjes me 31% të votave të numëruara.

Partia e tij “Ide të Reja” pritet të fitojë pothuajse të gjitha 60 vendet në organin legjislativ, duke forcuar kontrollin e saj në vend dhe duke i dhënë edhe më shumë ndikim Bukeles, udhëheqësi më i fuqishëm në historinë moderne të El Salvadorit.

“E gjithë opozita së bashku u pluhuros,” u tha mbështetësve Bukele, duke qëndruar me gruan e tij në ballkonin e Pallatit Kombëtar.

“El Salvadori u bë nga vendi më i pasigurt, në më të sigurtin. Tani në këto pesë vitet e ardhshme, prisni të shihni se çfarë do bëjmë,” shtoi Bukele.

Suksesi zgjedhor i partisë së tij do të thotë se Bukele do ketë fuqi të papara dhe do jetë në gjendje të rishikojë Kushtetutën e El Salvadorit, gjë e cila sipas kundërshtarëve do çojë në heqjen e kufijve të mandatit.

Tejet popullor, Bukele ka bërë fushatë për suksesin e strategjisë së tij të sigurisë, duke arrestuar më shumë se 75,000 banorë të vendit, të  akuzuar si anëtarë ose si të lidhur me bandat kriminale. Arrestimet çuan në një rënie të mprehtë të shkallës së vrasjeve në mbarë vendin dhe ndryshuan rrënjësisht një vend me 6.3 milionë banorë që dikur ishte ndër më të rrezikshmit në botë.

Por disa analistë kanë thënë se burgimi masiv i 1% të popullsisë nuk është plan i qëndrueshëm afatgjatë.

Disa orë më parë, Bukele mbajti një konferencë shtypi dhe tha se partia e tij kishte nevojë për të gjithë mbështetjen për të ruajtur luftën e saj kundër bandave dhe për të vijuar shndërrimin e El Salvadorit.

“Pra, nëse tashmë e kemi kapërcyer kancerin, me metastazat që ishin bandat, tani na mbetet vetëm të shërohemi dhe të jemi ata që kemi dashur gjithmonë të jemi”, tha Bukele.

Pakkush dyshoi në rezultatin e zgjedhjeve. Sondazhet treguan se shumica e votuesve donin të shpërblenin Bukelen për shkatërrimin e grupeve kriminale që e bënë jetën të padurueshme e tejet të rrezikshme në El Salvador dhe nxitën valët e emigrimit në Shtetet e Bashkuara.

Guadalupe Guillen, një dyqanxhie 55-vjeçare, u shfaq në festën e fitores e veshur me një tunikë dhe shall arab, një shenjë për trashëgiminë e familjes palestineze të Bukeles.

“Ne jemi duke festuar, duke e falënderuar, duke falënderuar Zotin, që na nxori nga ky problem me bandat. Ne nuk duam të kthehemi në atë të kaluar të tmerrshme,” tha Guillen, e cila shtoi se nuk u paguan më 300 dollarë zhvatje bandave çdo dy javë.

“Demokracia nuk është në rrezik sepse të gjithë njerëzit kanë votuar për të,” tha Guillen, duke i bërë jehonë qëndrimit të qeverisë lidhur me shqetësimet e vendeve perëndimore për lëvizje autoritare nën Bukele.

Problemet ekonomike

Një politikan i zjarrtë që shpesh ndeshet me liderët dhe kritikët e huaj në mediat sociale, Bukele erdhi në pushtet në vitin 2019 duke mposhtur partitë tradicionale me një zotim për të eliminuar dhunën e bandave dhe për të rinovuar një ekonomi që kishte ngecur.

Ai përdori supershumicën e partisë së tij Idetë e Reja në asamblenë legjislative për të mbushur gjykatat me besnikë dhe për të ndryshuar institucionet shtetërore, duke forcuar kontrollin e tij mbi pjesët kryesore të qeverisë. Ai gjithashtu mbrojti futjen e Bitcoin si monedhë të ligjshme, duke tërhequr kritika nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Gjykata e Lartë Zgjedhore e El Salvadorit vitin e kaluar e lejoi atë të kandidojë për një mandat të dytë edhe pse Kushtetuta e vendit e ndalon këtë. Kundërshtarët kanë frikë se Bukele do kërkojë të sundojë përgjithmonë, njësoj si presidentit Daniel Ortega në Nikaraguan fqinje.

“Të gjithë e dinë se është antikushtetuese rizgjedhja e presidentit, por ajo që njerëzit duan është siguria. Nuk u intereson nëse është antikushtetuese, ata thjesht duan të ndihen të sigurt,” tha Josue Galdamez, 39 vjeç, një biznesmen dhe tregtar që mbështeti Bukelen për shkak të kryqëzatës së tij kundër bandave.

Kur u pyet të dielën nga gazetarët nëse ai planifikonte të reformonte Kushtetutën për të përfshirë rizgjedhjet e paparashikuara ngaa ligji, Bukele tha se “nuk mendonte se do ishte e nevojshme një reformë kushtetuese”, por nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve nëse do përpiqej të kandidonte për një mandat të tretë.

Grupet e të drejtave kanë thënë se demokracia e El Salvadorit është nën sulm. Bukele i ka marrë këto shqetësime me qetësi, duke ndryshuar në një moment profilin e tij në X ku shkruan: “Diktatori më i këndshëm në botë”.

Sfida më e madhe e Bukeles në mandatin e tij të dytë ka të ngjarë të jetë ekonomia, rritja më e ngadaltë e Amerikës Qendrore gjatë kohës së tij në pushtet. Më shumë se një e katërta e salvadorianëve jetojnë në varfëri.

Varfëria e skajshme është dyfishuar dhe investimet private kanë rënë nën Bukele. Nuk ka pasur shumë vrull në planet e tij shumë të publikuara për Bitcoin City, një strehë e kriptove pa taksa, të mundësuar nga energjia gjeotermale nga një vullkan.

FMN, e cila po negocion një paketë shpëtimi prej 1.3 miliardë dollarësh me El Salvadorin, në fund të vitit 2023 e përshkroi gjendjen fiskale të vendit si “të brishtë”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters