Vendosni fjalën kyçe....

Fiks Fare/ Autoambulancat e Fierit të amortizuara, pa oksigjen, pa ngrohje dhe defibrilator


Në Fier më mirë të mos sëmuresh sepse autoambulancat e qytetit nuk të ofrojnë asgjë, madje më e lehtë është ta humbësh jetën në to.

Fiks Fare pas një denoncimi që u bë nga vetë drejtuesit e këtyre mjeteve udhëtoi drejt Fierit për të parë gjendjen e autoambulancave. Por ato mund të quhen gjithçka tjetër, përveçse autoambulanca.

Të amortizuara, pa ngrohje brenda dhe mbi të gjitha pa aparaturat kryesore për shpëtimin e jetës siç është defibrilatori apo oksigjeni. Pra duke mos përmbushur asnjë kusht. Përveç kushteve jashtëzakonisht të këqija të autoambulancave shoferët u ankuan për pagat e tyre si dhe statusin e tyre. Ata quhen shoferë në sektorin e shërbimeve mbështetëse. ”

“Trajtohemi si shoferë mbështetës sikur transportojmë perime e jo pacientë” shprehet njëri prej tyre. Ndërkohe që statusi i tyre është i njëjtë me atë të infermierit si dhe shoferi i autoambulancës.Ata ankohen edhe për grafikun e tyre në punë.

Pas ankesës së tyre shoferët takojnë edhe përgjegjësen e cila u thotë se këto mjete kanë e me to do punojnë. Kurse përsa i përket grafikut përgjegjësja pohon se atë e bën drejtoresha.

Pyetjes së shoferit se autoambulanca që drejton nuk ngroh madje nuk pastron as xhamin, përgjegjësja i thotë  “mbaje makinën ndezur të ngrohet”.

Përsa i përket statusit të tyre , përgjegjësja pohon se janë me emërtimin shoferë autoambulance, por kur ky i fundit i kërkon shkresën e ministrisë , përgjegjësja nuk e gjen dot. Shoferi në diskutim e sipër i thotë  ”po për çfarë je këtu, vetëm për të ngrohur vendin?”. Aty përgjegjësja harron edhe edukatën duke iu kthyer ” Mua mos më përmend by… se nuk ma përmend burri im e jo ti”.

Fiksi gjithashtu u interesua edhe pranë Drejtorisë së Spitalit Fier por që kjo e fundit nuk ishte aty sipas sekretares së saj.

Gazetarja e Fiksit iu drejtua me një mesazh në telefon drejtoreshës, por sërish nuk mori përgjigje.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Top Channel