Vendosni fjalën kyçe....

Blegtorët në Vlorë në protestë: Grumbulluesit e qumështit e kanë ulur çmimin me 40%, nuk mbulojmë dot kostot


Me dhjetëra blegtorë të krahinës së Lumit të Vlorës kanë dalë mbrëmjen e kësaj të hëne (8 janar) në protestë për çmimin e qumështit. Blegtorët thonë se sakrifikojnë çdo ditë me bagëtitë ndërsa grumbulluesit e qumështit kanë vendosur të ulin çmimin me gati 40% të vlerës.

Edhe pse produktet e bulmetit nuk kanë pësuar rënie të çmimit, baxhot në unanimitet kanë vendosur që qumështin ta marrin me 120 lekë, nga 180 që ka qenë deri në dhjetor. Blegtorët thonë se ky çmim nuk i mbulon kostot e shpenzimeve të tyre e as nuk justifikon punën e bërë. 

Dhjetëra banorë të cilët jetojnë e punojnë me bagëti janë mbledhur sot në fshatin Kot e thonë se nuk do dorëzojnë asnjë litër qumësht me këtë çmim.

“Po përfitojnë në kurrizin tonë, e po na detyrojnë të mos punojmë më thotë blegtorët”, thonë ata, duke shtuar se rinia po detyrohet të braktisë vendin vetëm nga abuzimet.

Krahina e Lumit të Vlorës e ka të përqendruar aktivitetin në blegtori, ku fatmirësisht sot gjetën dhjetëra të rinj të angazhuar në këtë fushë, mirëpo vetë të rinjtë thonë se me këto çmime nuk ia dalin dot të punojnë. 

Do detyrohemi të ikim dhe ne shtojnë blegtorët e rinj në moshë. Sipas tyre protestat do vijojnë deri kur zëri i tyre të dëgjohet e të trajtohen me meritë për punën që bëjnë.