Vendosni fjalën kyçe....

Arrat “Gucci”


Nga Artan Lame

Aftësia e shqiptarëve për t’ia përshtatur nevojave të veta edhe shpikjet më moderne, është e pëparë!

Gjate Luftës II Botërore, gomat e kamionëve ushtarakë italianë prodhoheshin me trashësi të madhe, gati 3 cm, me qëllim për të qenë rezistente edhe në situata lëvizjeje jashtë rrugëve.

Normale kjo gjë.

Por nga ana tjetër, Gjermania ishte në situatë më të vështirë dhe, sidomos në dy vjetët e fundit të luftës, kur shumica e fabrikave që prodhonin gomën për rrotat ishin bombarduar rëndshëm, gjermanët u detyruan të prodhonin rrota me trashësi gome të limituar, duke u përpjekur ta kompensonin me cilësinë më të mirë të materialit. Zgjidhje emergjence e teknologjive të luftes kjo.

Para disa vjetësh, nje plak i motshëm që kish parë shume në jetë, më thosh: -Eh, ç’ishin ato gomat e gjermanit për t’i bërë shuall opingash!

-Pse të gjermanit, edhe të italianit – e ngacmova.

-Jo jo, ato të Italisë nuk bënin se ishin dy gisht të trasha. Ato të gjermanit ishin tamam, se ishin të holla, veç që ishte punë me zarar se s’bëhej shaka me gjermanin – e mbylli sqarimin ai.

Kjo histori m’u kujtua ndërsa pashë këtë thesin me arra që më dhuruan për Vit të Ri. Arrat vinin nga malet e Shqipërisë, ndërsa thesi ishte … “GUÇI” i ricikluar!

Prapë shqipot ia dolën të pershtatin modernen për hallet e tyre, kësaj rradhe edhe pa patur frikë nga gjermani!

Gëzuar të gjithëve, Shqiperi e qëmoçme dhe e sotme!