Vendosni fjalën kyçe....

HETIMI I TCH – Monopolet e oligarkut Klodian Allajbeu në shëndetësi


Inside Story në Top Channel publikoi mbrëmjen e sotme (13 dhjetor 2023) një investigim të thelluar mbi dominancën e tregut nga Rrjeti i Spitalit Amerikan, përmes metodave të dyshimta. Nga konçensioni i Dializës, abuzimet, fryrja e kostove e deri tek përfitimet indirekte në konçesionet e tjera të rëndësishme.

Një perandori ekonomike që nis me ngritjen e Spitalit Amerikan, dhe zgjerohet me monopolizimin e paketave shëndetësore, konçesione dhjetëra milionë euro, tendera të majmë e biznese nga më të ndryshmet.

Si u godit konkurrenca duke blerë spitalet konkurrente dhe përmes metodave të tjera kontrolluese.

Transaksionet e dyshimta brenda grupit të kompanive në vendet offshore dhe përpjekjet për fshehjen e aksionereve të vërtetë fundorë.

Marrëveshjet e fshehta dhe lidhjet okulte që i përqendrojnë bizneset e shëndetësisë në 1 dorë.

Akuzat për fshehje të ngjarjes për zjarrin me katër viktima te dializa

Saimir Sulaj në ngjarjen tragjike të 25 korrikut 2016 humbi nënën e tij, Sanien. Ajo fillimisht u trajtua në spitalin shtetëror e më pas u transferua në spitalin amerikan.

“Fillimisht ishin në një pavion në spitalin e tyre, nuk e di në çkushte dhe në çfarë rrethanash u transferuan nga ai pavion dhe kaluan tek spitali ushtarak, ne pavionin eparë kushtet ishin shumë të mira, në pjesën tjetër një ish-ambient spitali ishte përshtatur, me kushte jo të përshtatshme për hemodilizën”, u shpreh Saimir Sulaj, djali viktimës.

“Nuk kishin pajisje kundër zjarrit, me disa dritare që të vjetra me hekura që duhet të jenë bërë që kur është ndërtuar spitali, personat hynin e dilnin pa asnjë kontroll edhe unë kam hyrë, ndonëse nuk është e lejuar”,  u shpreh Saimir Sulaj, djali viktimës.

Në rrëfimin e djalit të viktimës, mes rreshtave kupton tentativat për të mbajtur ngjarjen të fshehtë përballë familjarëve. Për orë me radhë, ata nuk janë informuar rreth fatit tragjik të viktimave.

“Në pavion thonin që jo ka ikur te urgjenca, ka ikur te spitali tjetër për trajtim psikologjik, mos është në kafe duke prit furgonin, mënyrat më të ndryshme për ti larguar nga aty, nuk tregonin të vërtetën. Trupi nuk është parë fare.. nuk e di se në çfarë rruge e kanë dërguar në morg, por na kontaktuan dhe na thanë që ta merrni atje, nuk kishe çfare të identifikoje”, u shpreh Saimir Sulaj, djali viktimës.

Ngjarja u hetua aso kohe nga prokuroria. Duke qenë mes viktimave edhe personi që vuri zjarrin, çështja u mbyll. Por, viktimat humbën jetën brenda ambjenteve ku shërbehej dializa dhe Spitali Amerikan kishte përgjegjësi të plotë për sigurinë.

“Si shumë çështje të drejtësisë edhe kjo u mbyll njëanshmërisht duke nxjerrë të pafajshëm spitalin. Spitali ka përgjegjësi për mos veprim, nuk ka respektuar kushtet e kontratës për hemodializën”, u shpreh Saimir Sulaj, djali viktimës.

Sajmir Sulaj, dhe 3 fëmijët e tjerë të pacientes së ndjerë Sanie Sulaj paditën Spitalin Amerikan. Në kërkesë padi, pasi renditen detajet e ngjarjes, kërkohet në fund dhënia e dëmshpërblimit nga Spitali privat. Kjo, bazuar në shkeljen e parametrave të sigurisë dhe kritereve të kontratës koncesionare.

Nga ana e Spitalit Amerikan nuk është marre asnjë mase për te siguruar jetën e pacienteve dhe është lejuar të futet në repart një person me lende djegese shume te rrezikshme. Spitali kishte detyrimin ligjor që të kontrollonte dhe të mbikëqyrtë jetën dhe shëndetin e pacienteve që kishte marre për mjekim.

Bodrumi i kthyer në repart dialize

Sot, pas 7 vitesh nga tragjedia te reparti i dializës, frika për përsëritjen e një ngjarje të tillë ekziston mes pacientëve.

Tashmë reparti i hemodializës në spitalin amerikan numër 2, është vendosur në garazhdin e godinës, në katin -2 kujanë dy ambiente me kapacitet 29 pacientë.

‘Salla e madhe është me 23 krevatë, e vogla me 6 krevate’- u shpreh Isa Muhadri, pacient me dializë

Kushtet mbeten skandaloze, nuk ka dritare për ajrosje, tubat e shkarkimit të të gjithë godinës janë mbi kokat e pacientëve. Në këtë ambient, ku përveç pacientëve janë edhe të pakten 15 punonjës që ofrojnë shërbimin nuk ka një tualet.

‘Kushtet janë skandaloze, garazhdi imakinëve është kthyer në pavion dialize, 25 veta në një dhomë, 15 janë personel, nuk ka një tualet… Një pavion që të zihet fryma. Nuk ma merr mendja që ai mjek që ka hedh firmën për ta kthyer ne pavion dialize atë abient e sjell aty vëllain, nënën, apo motrën. Të rrish 4 orë pa e parë dritën e diellit, kanë vendosur dritare fallco. Të gjitha shkarkimet e tubave bëhen në garzhdin e makinave të gjithë tubat i kemi sipër kokës’- u shpreh Isa Muhadri, pacient me dializë. 

Gjendja aktuale e repartit ku ofrohet dializa në spitalin privat nxjerr zbuluar shkeljen e kritereve të përcaktuara në kontratën konçesionare. Aty përcaktohej qartësisht se shërbimi duhej të kishte 4 dhoma të ndara.

Dhomat e hemodializës janë 4, të vendosur përgjatë korridorit. Dhomat kana kapacitet 10, 6, 8, 5 shtretër, të pajisur me panel prizash dhe dalje oksigjeni për secilin, ka nga një kënd infermieror me një tavolinë pune dhe një karrocë mjekimi, si dhe në njërën nga dhomat ka një aparat defibrilatori portabël. Pranë dhomavendodhet edhe blloku i nyjeve higjeno-sanitare për pacientët, të ndara sipas gjinive. Blloku ka të përfshirë dy dhoma zhveshje pacientësh me dollape garderobë.

Vendimi me dy standarde për 4 viktimat

Gjykatësi i Agron Zhukri vendosi të rrëzojë kërkesë padinë e familjarëve të Sanie Sulajt, duke e konsideruar të pabazuar në prova.

“Prap i njëjti fat në priti gjyqtari i çështjes Agron zhukri nuk e di ku e bazoi rrëzimin e kërkes padisë të bërë nga ana jonë”- u shpreh Saimir Sulaj, djali viktimës

Ai vendim gjyqësor ishte një moment ku familja e pamundur e Sanie Sulajt pati pasoja të tjera ekonomike, psikologjike por mbi të gjitha, edhe jetësore. Djali tjetër i saj që vuante nga e njëjta sëmundje, u përkeqësua dhe humbi jetën.

“Kërkojmë vetëm drejtësi.  Spitali Amerikan nuk dërgoi asnjë telegram ngushëllimi për këtë ngjarje, për mua ata nuk janë njerëz”- u shpreh Saimir Sulaj, djali viktimës

Gjyqtari Agron Zhukri përbën një emër të lakuar shpesh për një çështje të bujshme politike.Është pikërisht ky gjyqtar, i cili në 25 mars të vitit 2022, i dha selinë dhe vulën e Partisë Demokratike Sali Berishës. Në atë kohë, dolën zbuluar lidhjet e tij të hershme me Berishën. Bashkëshortja e gjyqtarit dikur kishte qenë sekretare personale e Berishës dhe pozicioni i tij u konsiderua në konflikt interesi. Vendimi i Zhukrit në favor të Spitalit Amerikan, ka disa momente që meritojnë analizë të detajuar.

Themeluesi dhe Administratori i Spitalit Amerikan Klodian Allajbeu, është një person që siç do të zbulojmë pak më poshtë, ka ndarë interesa me Shkëlzen Berishën, djalin e ish kryeministrit. Mjaft interesant është qëndrimi i grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike që përmend koncesionet e Shëndetësië, por nuk përmend kurrë atë të Dializës. Devotshmëria e treguar për depozitimine padive në SPAK për konçesionet, nuk është shfaqur kurrë për Dializën.

Vendimarrja e Zhukrit në favor të Spitalit Amerikan, pësoi një goditje të fortë juridike nga vetë sistemi gjyqësor. Në Gjykatën e Tiranës, u depozitua një tjetër padi, me të njëjtat argumente për vdekjen e pacientes tjetër Hanife Mali. Në këtë rast, gjyqtarja Mimoza Kajo pranoi padinë e familjarëve të Hanifes së ndjerë, duke vendosur caktimin e një dëmshpërblimi prej 13.4 milionë lekësh në total. Pra, Spitali Amerikan bëhej përgjegjës për tragjedinë.

“Të njëjtin fat kishte edhe hanife mali, për atë u hap padi dhe u pranua, ndërsa për mamanë tonë jo. Në nga dy gjyqtarët duhet të mbajë përgjegjësi, në një ngjarje në të njëjtin vend dhanë shpirt të dyja, si ai zotria paska të drejtë ndërsa ne jo, ky është paradoks i drejtësisë shqiptare”- u shpreh Saimir Sulaj, djali i viktimës

Në rastin e parë, duket se gjyqtari Zhukri kishte marrë parasysh parashtrimet e avokatit të spitalit amerikan që pretendonte se ngjarja mund të ndodhte kudo, duke qenë se ishte agresion i papritur. Ndërkohë, në rastin tjetër,gjyqtarja Mimoza Kajo tregohet mjaft e prerë kur argumenton se Spitali Privat duhet të mbahet përgjegjës. Kjo, pasi ngjarja ka ndodhur brenda ambjenteve të këtij subjekti.

Pala e paditur nuk ka treguar kujdesin e duhur gjatë veprimtarisë së saj mjeksore duke lejuar që në repartet e shërbimit mjeksor të hyjnë persona me lëndë djegëse.

– pala e paditur nuk ka marrë asnjë masë për të mënjanuar dëmin e shkaktuar, vdekjen e trashigimlënëses së tyre.

– pala e paditur nuk ka marrë asnjë masë dhe ka shkelur ligjet për trajtimin e pacientëve, kur veprimtaria e themelore e saj është  ofrimi i kujdesit shëndetsor.

Bazuar në këto argumente, në përfundimin e gjykimit të çështjes u vendos pranimi i padisë që detyroi Spitalin Amerikan të dëmshpërblejë 5 familjarët e viktimës me nga 2.6 milionë lekë secili. Në total, rreth 13.4 milionë lekë të reja të cilat të dëmtuarit nuk i kanë marrë sot e kësaj dite.

Shitja fiktive e kompanisë së dializës tek ortaku i Allajbeut dhe tenderat 40 mln euro me ‘flamuj’ të kuq

Majlinda Fetiu shet në vitin 2016 për vetëm 30 milionë lekë një kompani që zotëronte një kontratë koncesionare me vlerë plot 84 milionë euro.

Një lëvizje pa asnjë llogjikë ekonomike. Blerësit ishin biznesmeni Rasim Hamzaraj dhe mjeku Ertel Kërçuku. Ky i fundit ishte mjek i punësuar në Spitalin Amerikan, dhe mori 27.5% të aksioneve ndërsa Hamzaraj merr 72.5 %.

Në qoftë se kompania nuk është në gjendje të përmbushë detyrimin përpara se të kërkojë partnerë dhe ta shesë duhet ti rikthehet agjensisë shtetërore e cila e rishpallë apo e administron shteti dhe nuk ka përsë dhe nuk ka përse të certifikojë në mënyrë të heshtur dhe pa transparencë përballë qytetarëve transferime të kësaj natyre”- u shpreh eksperti ekonomisë,  Zef Preçi.

“Në asnjë rast kontrata nuk mund të transferohet pa miratimin e organit publik, a është miratimi formal a zbatohet procedura, mendoj se organi publik duhet të bëjë transparencë për dokumentacionet”- u shpreh Redi Ramaj, jurist.

Por, kush ishte biznesmeni që bleu koncesionin e Dializës. Ai është kushëri i afërt i Petrit Vasilit nënkryetar i Partisë së Lirisë. Dikur Ministër i Shëndetësisë në periudhën 2009-2012 në koalicionin qeverisës PD-LSI. Hamzaraj njihet si bosi i kompanisë farmaceutike “MegaPharma’.

Referuar të dhënave të grumbulluara nga Open Data, bie në sy fakti se kjo kompani ka siguruar plot 539 tendera me flamur të kuq, që ngre dyshimet për korrupsion përmes garave të paracaktuara. Vetëm në 4 vitet e fundit, kjo kompani ka arkëtuar nga thesari plot 2.1 miliardë lekë ose thënë ndryshe, rreth 20 milion euro.

“Duhet që të përjashtohen për një kohë të gjatë në disa raste të merren masa ekstreme që edhe kompanitë e tjera të tregohen të kujdesshme kur ndodhin fenomene të caktuara. ne momentin që nu merrren masa, që kapet një kompani që bën evazion fiskal dhe që i jepet përsëri e drejta të marrë pjesë në një tender që në këtë moment ka mbaruar i gjithë procesi”- u shpreh eksperti ekonomisë,  Klodian Muço

Kompania koncensionare veç koncesionit të Dializës, ka siguruar plot 152 kontrata publike me vlerë afro 2 miliardë lekë. Ose, rreth 20 milionë euro të tjera.

Ajo që bie në sy në kontratat e kompanisë konccensionare është bashkimi në këto tendera me subjekte të tjera të rëndësishme në vend.

“Xhamajka që para një dekade ka marre një vendim që kush merr para publike douhet te jete e certifikuar, të tregojë aftësi paguese,,, të jetë e regjistruar në vende që  njuk njihen për krijim e kompanive guaskë apo parajsave fiskale”- u shpreh eksperti ekonomisë, Klodian Muço

Këtu, jemi para krijimit të oligopolit në rastin më të mirë, ose të monopolit në rastin më të keq që kontrollon të gjithë tregun farmaceutik. Fijet e këtyre kompanive me mbi 40 milionë euro arkëtime nga thesari i shtetit, shkojnë sërish tek biznesmeni Klodian Allajbeu, i cili është ortak me Rasim Hamzarajin.

Së fundi, ata drejtojnë një kompani të themeluar në Britaninë e Madhe të quajtur. Referuar të gjitha provave që paraqitëm, duket që edhe në këtë rast, Allajbeu ia shiti sërish vetes aksionet e koncesionit të Dializës, pasi i kaloi nga kushërira Majlinda Fetiu te ortaku Rasim Hamzaraj.

“Mungesë mjekësh dhe probleme me ushqimin e pacientëve”

Sipas protokollit të dializës çdo pacient që merr shërbimin duhet të trajtohet me dietë ushqimore të personalizuar në varësi të gjendjes klinike.

“Ushqimi është i njëjtë prej 4 vitesh nuk ka ndryshuar, dhe për të gjithë është njëlloj“, u shpreh Isa Muhadri, pacient me dializë.

Duke qenë e rëndësishme për terapinë, dieta ushqimore është parashikuar në kontratën koncesionare që rezulton se është shkelur rëndë nga kompania koncesionare DiaVita. Kjo, është konstatuar edhe nga auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

U vërejt se, për të gjithë pacientët ofrohej e njëjta dietë ushqimore e pa personalizuar për çdo pacient, ndonëse kontrata e koncesionit në Aneksin 8 ka të përcaktuar që dietologu do të punojë më kohë të pjesshme në çdo qendër.

Pra, këto shkelje të konstatuara, rrezikojnë rëndë një pacient si Arditi 34-vjeçar. Ai ka sëmundje bashkëshoqëruese dhe ushqimi i tij duhet të jetë i diferencuar.

Arditi ka kaluar 3 herë vdekje klinike në Fier, para se të zhvendosej në Tiranë për një shërbim më të specializuar. Por, auditimet zyrtare zbulojnë mangësitë në qendrat e dializës së kompanisë DiaVita, që rrezikojnë jetën e pacientëve. Aty nuk janë të pranishëm mjekët specialist gjatë terapive.

Në të pesë qendrat e hemodializës, mjeku nefrolog është i punësuar me kohë të pjesshme po kështu në disa raste edhe mjeku i përgjithshëm, ka mosplotësim të numrit të punësimit për mjekët e përgjithshëm, nuk është plotësuar asnjë qendër me një mjek si: endokrinologë, gastrohepatologë, dietologë, teknikë laborant.

Jeta e pacientëve me sëmundje bashkëshoqëruese është edhe më e vështirë. Në shumë raste fatura e medikamenteve bëhet e papërballueshme. E tillë është familja e Ladimir Gjikës, i cili është baba i 4 fëmijëve.

Dy janë autikë, ndërsa djali 15-vjeçar është në dializë. Adoleshenti ka edhe sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Fatura mujore për trajtimet e tij shkon plot 50 mijë lekë të reja.

Rritja e vdekshmërisë në qendrat e dializës dhe fshehje të dhënash

Rasti më skandaloz është situata e pacientëve në spitalin e Korçës, për të cilët nuk është folur kurrë.

Të dhënat tregojnë se për vitin 2021-2022 kemi një vdekshmëri të lartë të pacientëve, e po ashtu shpërthim të hepatitit B dhe C.

Mortaliteti vjetor i qendrës rezultoi e lartë 20% e pacientëve të qendrës. Qendra e hemodializës së Korçës ka një numër të lartë të pacienteve me hepatit, të cilët zënë 17.7% të të gjithë pacientëve të qendrës ku specifikisht ka 12 pacientë me hepatit C, 3 pacientë me hepatit B dhe 2 pacientë me hepatit B+C, të cilët e marrin shërbimin e hemodializës të gjithë bashkë në Sallën 1/C.

Aktualisht në Korçë trajtohen 95 pacientë me dializë dhe të dhënat alarmante zbulojnë rrezikun që u shkaktohet nga shërbimi i kompanisë private. Edhe më i rëndë është fakti se të dhënat e mortalitetit për 5 qendrat e dializës në rrethet Lezhë, Shkodër, Elbasan, Korçë, Vlorë nuk ekzistojnë. Në kontratën koncesionare parashikohej mbledhja e këtyre informacioneve për të analizuar ecurinë. Nuk dihet nëse kompania private ka diçka për të fshehur por provat e zbuluara më sipër tregojnë rritjen e vdekshmërisë.

Në programet e auditimit të brendshëm të Fondit të Sigiurimit te Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor nuk është përfshirë auditimi i monitorimit të shërbimit të ofruar nga qendrat e dializës, kjo me arsyetimin se Institucionet shëndetësore publike e jopublike të kontraktuara nuk janë direkt objekt i auditimit.

Plani për monitorimin e 5 qendrave të hemodializës për vitin 2021 – 2022 mund të konsiderohet i realizuar vetëm në masën 40%. Pra, të dhëna që nuk analizojnë dot panoramën e plotë.

‘Duhet te japin një shkak të ligjshëm cila ka qene pamundësia për ta monitoruar këtë kontratë nëse nuk kanë bazën ligjore e cila do ti justifiokonte faktin që nuk është kontrolluar nga ana e departamentit të auditimit këtu ka shkelje ligjore edhe penale’ u shpreh avokat, Gentjan Rumano

Fluksi më i madh i pacientëve është në Nefrologjinë e QSUT-së. Kjo për shkak se koncensionari nuk kryen seancat e dializës për rastet akute. Sipas kontratës së koncensionit, riinvestimi në pajisje mjekësore do të behet 100% dhe do të fillojë në 4 vitet e fundit. Por, në auditimin e kryer rezulton se koncensionari nuk ka filluar të ri investojë në pajisje mjekësore.

Shitjet seri të konçesionit të dializës te kompanitë që kontrollohen përherë nga Allajbeu

Me 10 nëntor 2016 paketa maxhoritare e aksioneve të kompanisë koncensionare, u ble nga kompania Arimo B.V., për 160 mijë euro, e cila ishte e regjistruar në Holandë. Në të njëjtën adresë ku rezultonin edhe kompani të tjera të lidhura me Klodian Allajbeun.

Por, nuk mbaron me kaq. Kompania Arimo B.V., zotëron mes të tjerash një kompani farmaceutike të quajtur FARMACOM. Aty, sërish del emri i mjekut Ertel Kërçuku si administrator. Edhe më interesante aty është zbulimi i administratores së shoqërisë “Arimo BV” që bleu konçesionin e Dializës. Fjala është për juristen Xhejni Zela. Sipas listës së pagave që rrodhi në publik, ajo rezulton punonjëse në Studion e Avokatisë që mbron interesat e Spitalit Amerikan dhe rrjetit të kompanive të Klodian Allajbeut. Pra, me gjithë përpjekjet, asgjë nuk mund të fshihet. Këto konstatime, duhet të jenë objekt hetimi i organeve kontraktuese dhe Autoritetit të Konkurencës. As ky kamuflim me kompaninë e ashtuquajtur holandeze nuk ishte i sigurtë për biznesmenin Allajbeu që synonte të zhdukte gjurmët e tij pas koncesioneve.

Më 25 qershor 2019, kompania e koncensionit të hemodializës iu shit kompanisë fantazmë suedeze Diaverum International AB, për 1.5 milionë euro. Sërish një vlerë e ulët dhe pa llogjikë ekonomike në raport me përfitimet që sillte kontrata koncesionare.

“Dyshohet sepse ne momentin që ti shet një biznes m pak se vlera reale kjo tregon se ka arsye të dyshoh për evazion fiskal”– u shpreh eksperti ekonomisë, Klodian Muço.

“Shitja me një vlerë të ulët pa kurrfarë lidhje më tregun duhet parë si element i dyshimit të bazuar për përfitim të dikujt pra për aktivitet korruptiv“- u shpreh eksperti ekonomisë, Zef Preçi.

Sipas dokumenteve, Klodian Shehi mban pozicionin e drejtuesit të kompanisë ‘suedeze’ DIAVERUM INTERNATIONAL AB”, që mori në pronësi 100 % kompaninë “DiaVita” . Klodian Shehi rezulton të jetë një tjetër person i besuar i Allajbeut. Ai është kunati i biznesmenit, bashkëshorti i motrës. Ky person shfaqet si drejtues apo aksioner edhe në kompani të tjera të bosit të kontratave të shëndetësisë. Pasi u zbuluan këto të dhëna, koncesioni shitet sërish. “Diaverum” që në vetvete zotëronte kompaninë e zbatimit të koncesionit u shit tek “M42” e Abu Dhabi. Një ndërmarrje e kujdesit shëndetësor e krijuar rishtazi nga fondi shtetëror “Mubadala Investment Company” dhe firma e inteligjencës artificiale G42.

“Ndryshimi i pronësisë kundrejtë kushteve fillestare qoftë edhe te një kompanie tjetër të të njëjtit profil mund dhe duhet të jetë objekt hetimi penal“- u shpreh eksperti ekonomisë, Zef Preçi.

Mbetet për t’u parë se cilët janë emrat që fshihen pas kompanisë së re që zotëron kontratën e Dializës. Ajo që dihet me siguri është se vitet e fundit, në Emiratet e bashkuara Arabe mjaft shqiptarë të botës së krimit kanë transferuar shuma të mëdha parash me burim korrupsionin dhe krimin.

Rritja e kostove nga koncesionari

Në Janar të vitit 2023, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” zhvilloi një tender për pajisje dialize për repartin shtetëror ku trajtohen 36 pacientë aktualisht.

Fondi ishte 224 milionë lekë për 36 muaj. Në dokumentet e tenderit zbulohet se një set trajtimi është në vlerën rreth 6 mijë e 100 lekë.

Ndërkohë, kompania “DiaVita” e ka të parashikuar rreth 11 mijë e 200 lekë koston për secilin set.
Pra, 45% më shtrenjtë. Një raport i organizatës “Together for Life” vlerësoi se ky koncesion ka përfituar rreth 412 milionë lekë apo rreth 3.5 milionë euro pagesa nga buxheti i shtetit për seanca që NUK janë kryer.

“Kalimi në duart e provatit në një situatë normale do të përmirësohej cilësia, por çmimi do të ishte mundësisht dhe më i ulët aq dhe më i ulët për të njëjtat kushte”, u shpreh eksperti i ekonomisë, Zef Preçi.

Për kontratën PPP për periudhën 2016-2021 janë likuiduar nga buxheti i shtetit rreth 3.97 miliardë lekë, ndërsa mbeten për t’u shlyer për vitet e mbetura rreth 3.24 miliardë lekë.

Për këtë shërbim që i kushton taksapaguesve miliona euro çdo vit, raportet e vazhdueshme te kontrollit të lartë të shtetit kanë zbuluar se privati nuk ka mundur të përmirësojë cilësinë e shërbimit.

Spitali Amerikan i jep borxh kompanisë që e bleu! A u mashtruan autoritetet, çfarë fsheh transaksioni?

Dokumentet tregojnë se Spitali Amerikan, me administrator Klodian Allajbeun, është në pronësi të kompanisë “Balkan Alliance Healthcare B.V.”, me seli në Amsterdam dhe me adresë në Naritaeg 165, 1043 BE. Në mars të vitit 2023, Allajbeu i blen vetes për 24 milionë euro kompaninë “Balkan Alliance Healthcare B.V”.

Zyrtarisht blerëse ishte një tjetër kompani e regjistruar në Hollandë, e quajtur “KA Healthcare BV”
Në procedurat e shitjes së Spitalit Amerikan, ka ndodhur diçka e çuditshme dhe mjaft e dyshimtë.

Vetë Spitali Amerikan ka marrë një kredi prej 25.5 milionë eurosh që do të disbursohet në dy këste me nga 16 milionë euro dhe 9.5 milionë euro.

Sipas dokumenteve, kësti prej 16 milionë eurosh do të përdoret për financimin e kompanisë KA Healthcare BV për blerjen nga ana e saj 86.3% të kapitalit të Balkan Alliance Healthcare BV. Pra, kompanisë që në vetvete është zotëruese e aksioneve të vetë Spitalit Amerikan.

Me pak fjalë, kompania që po shitet, ka marrë borxh për të financuar pikërisht atë që do ta blejë, kompaninë tjetër të lidhur me Allajbeun të regjistruar në një parajsë fiskale si Holanda.

Natyrshëm lindin dyshimet, se çfarë përpiqet të fshehë biznesmeni Allajbeu përmes këtyre transaksioneve me kompani offshore. Në fakt, kemi të bëjmë me një kompani pa aktivitet, pa aftësi paguese që është thjesht mbajtëse e aksioneve të rrjetit spitalor.

Nga një verifikim i thelluar, rezulton se autoriteti i Konkurencës në Kosovë shqyrtoi në vitin 2022 kërkesën për shitjen e aksioneve tek kompania holandeze, duke qenë se atje Spitali Amerikan ka dy filiale.

Nuk dihet nëse Autoriteti Konkurrencës në Shqipëri ndërmori të njëjtin hetim, duke pasur parasysh se ky grupim, bleu edhe Hygeian. Ajo që bie në sy tek vendimi në Kosovë, thuhet se Spitali Amerikan dhe Hygeia, zënë 12 % të tregut në Shqipëri.

Por, ka dyshime se autoritetet kosovare janë mashtruar me të dhënat. Nëse i referohemi të dhënave për vitin 2021, Spitali Amerikan, që përbën rreth 85 % të totalit të subjekteve private në këtë fushë. Pra, qartësisht jemi para krijimit të monopolit.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Top Channel