Vendosni fjalën kyçe....

Lojëra të paligjshme fati, dy në pranga e dy në kërkim


Dy persona janë arrestuar në Tiranë pasi akuzohen për organizim lojërash fati.

Në pranga kanë rënë 34-vjeçari me iniciale E.H. e 61-vjeçari A.K., ndërsa në kërkim janë shpallur 44-vjeçari A.C. e 22-vjeçari V.D.

Po kështu është proceduar në gjendje të lirë pronari i lokalit 34-vjeçari me iniciale L.D. i cili akuzohet se kishte lejuar zhvillimin e lojërava të fatit.

Njoftimi

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Seria A”.

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 5, për goditjen e aktivitetit të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Goditet 1 rast i organizimit të lotarive të palejuara, në ambientet e një lokali, arrestohen në flagrancë 2 shtetas, shpallen në kërkim 2 të tjerë. Procedohet në gjendje të lirë pronari i lokalit, i cili e kishte e vendosur subjektin e tij, në dispozicion për organizimin e lotarive të palejuara.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5, bazuar në informacionet e marra në rrugë policore, se disa persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitetin e paligjshëm të lotarive të palejuara nëpërmjet aparateve celulare, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Seria A”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:  

– E. H., 34 vjeç, dhe A. K., 61 vjeç, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit A. C., 44 vjeç, dhe V. D., 22 vjeç, banues në Kamzë, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”. Po në kuadër të këtij operacioni u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi L. D., 34 vjeç, pronari i lokalit, për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas ushtronin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, nëpërmjet lotarive sportive, në një lokal në Laknas, që shtetasi L. D. e kishte vendosur në dispozicion për organizimin e këtyre lotarive. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.”