Vendosni fjalën kyçe....

Takimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OSBE-së në Shkup, 1 mijë delegatë nga 57 vende anëtare e partnere


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken mbërriti në Shkup pasditen e kësaj të mërkure, ku do të marrë pjesë në takimin Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OSBE-së.

Takimin e parë, zoti Blinken e zhvilloi me Ministrin e jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut është bërë gati për të pritur delegacionet e vendeve anëtare të OSBE-së për takimin Këshillit të Ministrave të Jashtëm të organizatës, që pritet të fillojë të enjten.

Takimi i 30-të i Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të OSBE-së është më i madhi që ka organizuar ndonjëherë Maqedonia e Veriut.

Nga 57 vendet e organizatës më të madhe të sigurisë në botë marrin pjesë shefat e diplomacive të Shteteve të Bashkuara, të vendeve të BE-së, teksa pritet të mbërrijë edhe ministri i Jashtëm rus.

Shkupi i hoqi para pak ditësh masat kufizuese për t’i lejuar aterrimin aeroplanit rus në të cilin do të jetë ministri Sergej Lavrov për t’i mundësuar pjesëmarrjen në takim. Por, kjo gjë ka shkaktuar pakënaqësi tek Ukraina dhe vendet baltike që kanë paralajmëruar bojkotin e këtij takimi ministror ku pritet të vendoset për të ardhmen e OSBE-së.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken mbërriti në Shkup nga Brukseli ku mori pjesë në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s. Zoti Blinken, sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit, nuk pritet të takohet me ministrin rus, Lavrov. Edhe kabineti i këtij të fundit ka theksuar po të njejtën gjë.

Drejtimin e OSBE-së për vitin 2024 pritet ta marrë Malta, pas një kompromisi të arritur në selinë e organizatës në Vjenë. Rusia dhe Bjellorusia kishin paralajmëruar se do të vendosnin veton ndaj kandidaturës së Estonisë, e cila ishte pjesë e treshes së OSBE-së dhe priste radhën për ta marrë në drejtim organizatën, shkruan VOA.

Kjo, tek një pjesë e analistëve të huaj shikohet si fitore e Rusisë, por jo dhe nga Drejtuesi aktual i organiztës, ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili thotë se me zhbllokimin e vendimeve, buxhetit dhe proceseve fiton OSBE-ja, e ardhmja e së cilës vetëm deri para pak ditësh ishte në pikëpyetje, sipas tij.

Moska për një kohë të gjatë e ka kritikuar dhe akuzuar organizatën se “është kthyer në një vegël të Perëndimit”, duke bllokuar në këtë mënyrë një numër vendimesh, të cilat merren me konsensus.

OSBE-ja përbëhet nga 57 shtete të Evropës, Amerikës Veriore dhe një pjesë të Azisë, ndërsa mandati i saj përfshin vëzhgimin e zgjedhjeve dhe mbështetjen e negociatave për paqe.

Maqedonia e Veriut është përgatitur për muaj të tërë për këtë takim. Rrugët që çojnë për tek salla e konferencës janë mbyllur për qarkullimin e qytetarëve, ndërsa punonjësit e administratës sot kanë punuar me një orar të shkurtuar dhe nesër është ditë pushimi.

Një numër i madh policësh janë angazhuar për ruajtjen e rendit. Në takim pritet të diskutohen çështjet e sigurisë në zonën euro-atlantike; lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit e tj.

Takimi i Ministrave të Jashtëm të OSBE-së përfundon më 1 dhjetor me nënshkrimin e një deklarate të përbashkët.