Vendosni fjalën kyçe....

Infantilizmi i një Britanie “të paqeverisshme”


Rachel Reeves, kancelare, në një qendër kërkimore në prodhim në Sheffield në fillim të këtij viti. Rënia e rritjes ekonomike është fakti më i rëndësishëm në lidhje me politikën britanike

Nga Martin Wolf

Mbretëria e Bashkuar ka pasur gjashtë kryeministra që nga maji i vitit 2010. Në të kundërt, ajo pati vetëm katër të tillë në 31 vitet pasi Margaret Thatcher mori detyrën.

Tani ky numër duket se do rritet në shtatë, pasi Keir Starmer, i cili fitoi një mazhorancë dërrmuese më pak se dy vjet më parë, ka gjasat të humbasë pozicionin e tij si udhëheqës i Partisë Laburiste. Nuk është çudi që njerëzit e quajnë vendin “të paqeverisshëm”. Çfarë e ka bërë politikën britanike kaq kapriçoze? Çfarë do të thotë kjo për të ardhmen e vendit?

Unë nuk do pretendoja se gjithçka përmblidhet te ekonomia. Njerëzit kujdesen edhe për gjëra të tjera – emigracionin, krimin, shëndetësinë, arsimin e kështu me radhë. Por një ekonomi e mirë – një ekonomi me rritje të gjerë dhe të shpërndarë – është, sipas mendimit tim, një kusht i domosdoshëm për stabilitetin politik në një demokraci liberale.

Problemi themelor është se Mbretëria e Bashkuar nuk e ka pasur këtë për dy dekada. Ajo nuk është e vetme në këtë aspekt. Por përkeqësimi i paraqitjes së saj që nga viti 2007 ka qenë gjigant (siç ka ndodhur edhe me ekonomitë e tjera të mëdha evropiane).

E thënë thjesht, një ekonomi e keqe krijon politikë të keqe dhe politika e keqe krijon një ekonomi të keqe. Sipas studimit “Rënia e produktivitetit në Britani” (The UK Productivity Slowdown) nga Josh Martin, ngadalësimi i rritjes së produktivitetit filloi një vit përpara krizës financiare të vitit 2007.

Përfundimi i tij është se në vitet 1976-2006, rritja vjetore e trendit të prodhimit për orë pune kishte qenë 1.9–2.1 për qind dhe, në sektorin e tregut, 2.2–2.4 për qind. Ngadalësimi që nga ajo kohë ka qenë afërsisht 1.5 pikë përqindjeje për të gjithë ekonominë dhe 2 pikë përqindjeje për sektorin e tregut.

Kjo shembje e rritjes ekonomike është fakti më i rëndësishëm i ekonomisë dhe politikës britanike. Ajo është përkeqësuar më tej nga presionet e plakjes së popullsisë dhe një sërë goditjesh të mëdha, nga kriza financiare globale e deri te mbyllja e sotme e Ngushticës së Hormuzit. Kjo nga ana e saj e ka kthyer politikën në një makth të presioneve fiskale dhe “krizave të përballueshmërisë” pa fund.

Kur zgjedhjet politike përplasen me realitetin

Kur sheh një kryengritje kundër një tjetër kryeministri, pyetja e natyrshme që lind është nëse paketa e zgjedhjeve politike të nevojshme për përmirësimin e performancës ekonomike përputhet me paketën e politikave që ndonjë qeveri e mundshme do jetë e vullnetshme ose do lejohet të zbatojë.

Në mënyrë nxitëse, në një shkrim të fundit në blog, John Van Reenen, një nga ekspertët kryesorë akademikë të produktivitetit në Britani dhe këshilltar i Rachel Reeves (ministres së Financave), deklaroi se “që kur Laburistët u zgjodhën në tremujorin e tretë të vitit 2024, prodhimi për punëtor ka rritur me 2.4 për qind. Kjo është një normë e llogaritur në bazë vjetore prej 1.6 për qind, e cila krahasohet me më pak se 0.3 per qind… në dekadën e kaluar.”

A është kjo reale apo thjesht një flakë kashte? A është ky rezultat i politikave të Laburistëve? Unë jam skeptik për të dyja pikat. Por ky është një lajm i mirë. Vetë Van Reenen ia kushton këtë stabilitetit fiskal, investimeve të zgjeruara në energji, transport, banesa dhe kërkim-zhvillim, si dhe reformave strukturore, veçanërisht në planifikim. Përsëri jam skeptik që kjo e fundit, në veçanti, ka ndryshuar shumë në një periudhë kaq të shkurtër. Por këto janë, të paktën, politika krejtësisht të arsyeshme.

Megjithatë, pyetja e qartë është nëse ato mund të mbahen apo, në disa raste, si psh me reformën e mëtejshme të planifikimit, nëse mund të zbatohen fare. Tek e fundit, siç e ka bërë të qartë organizata Britain Remade, Mbretëria e Bashkuar mezi arrin të ndërtojë diçka. Sa i përket stabilitetit fiskal, presionet janë bërë tashmë të dukshme në debatin e Laburistëve.

Sa bukur është të besosh në një “drekë fiskale falas”. Por ajo është ngrënë tashmë në dy dekadat e fundit të krizave. Rendimenti i obligacioneve 10-vjeçare të Britanisë është tashmë më i larti në G7: më 21 maj, ai ishte 1.116 pikë përqindjeje më i lartë se ai i Italisë. Nëse Britania dëshiron të shpenzojë më shumë, do duhet të taksojë më shumë. Edhe pse kjo është e realizueshme, do kërkojë gjithashtu një reformë thelbësore fiskale.

Rreziku i populizmit infantil

Shikojini sfidat në një kuadër më të gjerë. Britania duhet të prodhojë një rreth vicioz pozitiv midis një ekonomie të fortë e në rritje dhe një shteti të sigurt e të qëndrueshëm. E para kërkon reforma thelbësore dhe shpesh të vështira.

Ajo do kërkojë gjithashtu pranimin e kompromiseve të dhimbshme, jo më pak të atyre midis taksimit dhe shpenzimeve. Që ndonjë prej këtyre të funksionojë, politikat duhet të hartohen dhe më pas të zbatohen përgjatë shumë viteve. Kjo, nga ana tjetër, do kërkojë një stabilitet politik që mund të rezultojë i paarritshëm.

Një sfidë e veçantë, në këtë kontekst, është rritja e populizmit infantil – pikëpamja se nëse dëshiron diçka me ngulm, ajo patjetër duhet të jetë e disponueshme. Në të djathtë, ne e pamë këtë në premtimet e rreme të Brexit-it. Në të majtë, ne e shohim këtë në besimin se kontrollet e çmimeve dhe pagat minimale gjithmonë në rritje janë pa kosto, dhe se vetë idea e kufijve fiskalë dhe monetarë është një komplot kapitalist djallëzor.

Kur të rriturit janë të diskredituar politikisht, siç kanë qenë në pjesën më të madhe, kush i zëvendëson ata? Fëmijë të zhurmshëm, mjerisht.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times