Vendosni fjalën kyçe....

Ministri Balla vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, takim me ministrin për Emigracionin, Robert Jenrick


Ministri i Brendshëm Taulant Balla po zhvillon një vizitë në Britaninë e Madhe ku janë parashikuar takime me zyrtarë të lartë britanikë, mes të cilëve edhe homologun James Cleverly.

Së pari, ai bashkë-drejtoi me Ministrin për Migracionin, Robert Jenrick takimin e radhës së Komitetit të Përbashkët Mbikqyrës (KPM), në kuadër të Task Forcës së Përbashkët kundër Migracionit të Jashtëligjshëm (TFPM), ku u vlerësuan rezultatet domethënëse me më shumë se 90% ulje të emigracionit të paligjshëm.

Një vit më parë kryeministrat Rama dhe Sunak ranë dakord të thellohet bashkëpunimi në tri fusha me interes të përbashkët, për çështjet e sigurisë dhe punët e brendshme, rritja ekonomike dhe investimet, si dhe inovacioni, rinia e arsimi.

Ministri Balla vuri në dukje se rezultatet janë të prekshme, falë këtij bashkëpunimi.

“Përmes bashkëpunimit të shkëlqyer dhe operativ kemi arritur tashmë rezultate mbresëlënëse në luftën kundër krimit dhe për ndalimin dhe goditjen e migracionit të paligjshëm”, nënvizoi ministri.