Vendosni fjalën kyçe....

Rama nuk e quan më medien kazan


Kryeministri Edi Rama ka ndryshuar qëndrim 180 gradë për medien. Ai tashmë nuk e quan më kazan atë.

Kryeministri merr pjesë ditën e sotme në Forumin e Medias për Europën Juglindore.

Madje në okelio të videos së forumit të shpërndarë në Facebook, Rama shkruan se forumi me një traditë shumëpalëshe ka një rol të pazëvendësueshëm në të ardhmen e gazetarisë dhe medias.

Në Forumin e Medias për Europën Juglindore, tashmë një traditë disa vjeçare e dialogut shumëpalësh mbi rolin e pazëvendësueshëm, kontributin dhe të ardhmen e gazetarisë dhe medias”- shkruan Edi Rama.

Rama ka nisur të ulë tonet, akuzat dhe ironinë me medien për shkak të detyrimeve ndaj BE-së për përafrimin e legjislacionit dhe ndërtimit të urave të komunikimit.

Qeveria po planifikon Platformën e Dialogut me Mediat në kuadrin e procesit të integrimit.

Ditët e fundit, një nga precedentët e rrallë, qeveria u detyrua nga media të bënte transparencë për publikun duke publikuar marrëveshjen për emigrantët me Italinë (lexo këtu).

Gjatë detyrës së tij si kryeministër, Rama ka pasur përplasje me median dhe gazetarë të ndryshëm. Ai shpesh e ka quajtur kazan, median dhe produktet gazetareske të bëra kundër qeverisjes së tij.

Një historik jo pozitiv ka pasur edhe me median ndërkombëtare, kryeministri i Shqipërisë. Një audiopërgjim i publikuar në gazetën gjermane Bild për dosjet 339 dhe 184 për blerje votash e detyroi Ramën të deklaronte një padi për shpifje ndaj autorit të shkrimit por që më pas u tërhoq me justifikimin se kaloi mirë pas takimit me shefat editorialistë të gazetës gjermane. 

Gjithashtu gjatë qeverisjes së tij një projektligj kontrovers dhe i diskutueshëm u iniciua i cili më pas u “harrua në sirtarët e Kuvendit” pas kundërshtive që mori edhe nga ndërkombëtarët.

Paketa “anti shpifje” parashikonte një seri amendamentesh të ligjit ekzistues për median audiovizive që synojnë të fuqizojnë Autoritetin  Mediave Audivizive [AMA] dhe Këshillin e Ankesave brenda saj, të kontrollojnë përmbajtjen e medias online duke i dhënë mundësi të vendosin gjoba deri në 2 milionë lekë, të cilët ekzekutohen si titull ekzekutiv, pa kontroll gjyqësor.