Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet në Stamboll Dritan Rexhepi (Video)


Dritan Rexhepi, kreu i organizatës së drogës “Kompania Bello”, është arrestuar në Stamboll.

Lajmi është dhënë nga ministri i Bendshëm, Ali Yerlikaya.

Rexhepi u ndalua gjatë operacionit “Kartel”.

Rexhepi ishte liruar nga burgu në Ekuador ku vuajti dënimin për trafik ndërkombëtar kokaine.

Ndaj tij ka pasur kërkesa ekstradimi nga tre shtete. Përveç se bosi i kokainës e kreu i një karteli që transportonte drogë  nga Amerika e Jugut drejt Evropës, ai njihej edhe si mjeshtër i arratisjeve, pasi ishte arratisur disa herë nga burgjet në Shqipëri, Itali e Belgjikë vite më parë.

Dritan Rexhepi akuzohet se ka porositur pengmarrjen dhe vrajen e Jan Prengës, trupi i të cilit nuk është gjetur ende.

Ai njihet edhe me emrat Ioannis Dionysopoulos, Lulzim Murataj e Gramoz Rexhepi. Rexhepi është arratisur tre herë nga  burgjet ku ka qenë. Në vitin 2006 nga Policia e Durrësit e në vitin 2011 nga burgu i Vogheras, Itali dhe burgu Merksplas, Belgjikë.

Dritan Rexhepi rezulton i dënuar në mungesë me 25 vite burgim në Shqipëri, për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998.

Pavarësisht këtij dënimi, ai ka mundur në vitin 2013, të hyjë në territorin shqiptar me emrin Lulzim Murataj po nuk është pikasur nga autoritetet.

Sipas autoriteteve turke, Rexhepi kishte hyrë në Turqi me pasaportë kolumbiane të regjistruar me emrin Benjamin Omar Perez Garcia.