Vendosni fjalën kyçe....

Turqia hap kufijtë: Të gjithë sirianët të lirë të kalojnë në Europë


Turqia nuk do t’i ndalojë më refugjatët sirianë për të arritur në Evropë, shkruan Reuters. Ky vendim vjen pas vrasjes së 33 ushtarëve turq në një sulm nga forcat e qeverisë siriane në rajonin veriperëndimor të Idlibit të Sirisë.

Hapja e kufirit mund të sjellë një përsëritje të krizës së migracionit të periudhës 2015-2016, kur më shumë se një milion njerëz mbërritën me det në Greqi dhe kaluan Ballkanin në këmbë, derisa Turqia mbylli kufirin e saj në një marrëveshje me BE-në.

Deri në orët e para të së premtes, refugjatët dhe migrantët u lanë të lirë të vijojnë rrugën e tyre për në vendet kufitare. Një zyrtar turk tha që policisë dhe rojeve kufitare u ishte thënë të qëndrojnë në këmbë dhe të lejojnë daljen nga toka dhe deti.

Një kolonë migrantësh shkuan drejt kufirit në këmbë, me një burrë që mbante një fëmijë të vogël në krahë. Të tjerët u drejtuan atje me taksi.

“Ne kemi dëgjuar për këtë në televizion”– tha migranti afgan Sahin Nebizade, 16 vjeç. “Ne kemi jetuar në Stamboll. Ne duam të shkojmë në Edirne dhe më pas në Greqi”-shtoi Nebizade përpara se taksitë të drejtoheshin për në provincën veriperëndimore të Edirnesë dhe vendkalimit kufitar me Bullgarinë dhe Greqinë, 200 km në perëndim të Stambollit.

Një milion civilë nga Siria janë zhvendosur në afërsi të kufirit turk në kushte të dëshpëruara të dimrit, ndoshta kriza më e keqe humanitare e luftës nëntë vjeçare. Turqia është tashmë shtëpi e 3.7 milion refugjatë sirianë dhe thotë se nuk mund të marrë më shumë.

Forcat e qeverisë siriane, kanë filluar një sulm për të kapur veriperëndimin, territorin e fundit të mbajtur nga rebelët e mbështetur nga Turqia. 33 ushtarë turq humbën jetën çka solli zemërimin e Ankarasë.

“Ne kemi vendosur, në mënyrë efektive menjëherë, të mos ndalojmë më refugjatët sirianë të arrijnë në Evropë përmes tokës ose detit”– tha zyrtari turk për Reuters. “Të gjithë refugjatët, përfshirë Sirianët, tani janë të mirëpritur të kalojnë në Bashkimin Evropian.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *