Vendosni fjalën kyçe....

Zbulimet e reja hedhin poshtë mohimet e Joe Biden për të birin Hunter


Nga shumë diskutimet që pasuan rrjedhjen e përmbajtjes së laptopit të Hunter Biden, një nga më të mprehtat ka qenë rasti i darkës së prillit 2015 në “Cafe Milano”.

Emailet sugjeronin që Hunter Biden organizoi një darkë në një dhomë private në restorantin në Washington, ku përfshihej edhe babai i tij dhe një drejtues nga kompania ukrainase e energjisë Burisma, e cila kishte emëruar Hunter Biden në bordin e saj. Një email nga ekzekutivi, që mbante datën menjëherë pas darkës, falënderoi Hunter Biden për mundësinë për të takuar babanë e tij.

Ndërsa media ngriti polemikën, Shtëpia e Bardhë këmbënguli, në terma gjithnjë e më të fuqishëm, se nuk kishte ndodhur asnjë takim midis Biden-it dhe ekzekutivit të Burismas.

Në tetor 2021, një vit pasi darka u bë çështje e polemikave kombëtare, një shkrim i POLITICO që e përmendte atë, shkaktoi një përgjigje me email nga një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, duke përsëritur dhe zgjeruar mohimet se Biden ishte takuar me ekzekutivin ukrainas, Vadym Pozharskyi.

Ndërsa disa deklarata nga përfaqësuesit e Biden mund të interpretohen vetëm si përjashtime të një takimi zyrtar midis Biden dhe ekzekutivit, Shtëpia e Bardhë tha se mohimi i saj ishte më gjithëpërfshirës.

“A përjashton kjo ndonjë takim jozyrtar me Pozharskyi në prill 2015?” pyeti POLITICO.

“Po”, shkroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë.

Më pas, këtë korrik, një ish-partner biznesi i Hunter Biden, i cili ishte i pranishëm në atë darkë, dëshmoi para Komitetit të Mbikëqyrjes së Kongresit. Nën dënimin për dëshmi të rreme, Devon Archer tha se ekzekutivi ukrainas darkoi me Joe Biden, Hunter Biden dhe disa të tjerë në “Cafe Milano” në prill 2015.

E pyetur për të sqaruar këtë mospërputhje, Shtëpia e Bardhë nuk adresoi pyetjen nëse Biden dhe ekzekutivi u takuan në darkë. Në vend të kësaj, një zëdhënës i dytë u përgjigj: “Siç e kemi thënë shumë herë më parë, Presidenti nuk ishte në biznes me djalin e tij ose me dikë tjetër në familje dhe vetë dëshmitarët e republikanëve të Kongresit, përfshirë Devon Archer, kanë dëshmuar se Presidenti asnjëherë nuk diskutoi biznesin me djalin e tij.”

Devon Archer (në qendër) mbërrin për dëshminë me dyer të mbyllura me Komitetin Mbikëqyrës së Kongresit më 31 korrik 2023, në Uashington, D.C.

Mohimi i qartë i Shtëpisë së Bardhë edhe për një takim joformal, i raportuar këtu për herë të parë, nuk ishte hera e vetme që deklaratat e bëra nga Biden dhe kampi i tij për marrëdhëniet e Hunter Biden janë kundërshtuar nga të tjerët.

Joe Biden dhe përfaqësuesit e tij e kanë mbrojtur vazhdimisht atë nga kritikat në lidhje me të afërmit e tij, veçanërisht djalin e tij, duke lëshuar mohime të përgjithshme për sjellje të pahijshme dhe duke mohuar kontaktet me çështjet e tyre të biznesit.

Por, në muajt e fundit, ndërsa republikanët e Kongresit kanë hapur një hetim për shkarkimin dhe polemikat në lidhje me Hunter Biden vijojnë të diskutohen në gjykata dhe në sheshin publik, një rrjedhë e vijueshme zbulimesh kanë kundërshtuar mohimet e presidentit.

Një rishikim i POLITICO i dëshmive dhe shfaqjeve të fundit të Kongresit, së bashku me dosjet gjyqësore dhe raportet e medias, hedh dyshime mbi disa deklarata të bëra nga Biden dhe përfaqësuesit e tij.

Ato përfshijnë pretendimin e presidentit se ai kurrë nuk ka diskutuar marrëdhëniet e biznesit të të afërmve të tij me askënd dhe sugjerimin e tij se shfaqja e emaileve që me sa duket i përkisnin djalit të tij ishte rezultat i një komploti rus. Po kështu ato përfshijnë mohimet e Biden se djali i tij fitonte para nga Kina dhe se të afërmit e tij kanë përfituar nga mbiemri Biden.

Republikanët, ndërkohë, nuk kanë gjetur asnjë provë për pretendimet e kundërshtarëve më të zellshëm të Biden: se ai ndërmori veprime zyrtare për shkak të marrëdhënieve të biznesit të të afërmve të tij. Dhe sa i përket darkës në “Cafe Milano”, nuk ka asnjë tregues se Joe Biden ka diskutuar për biznesin apo i ka ofruar favore drejtuesit të kompanisë ukrainase të energjisë atë natë.

Kryetari i Mbikëqyrjes së Kongresit  , James Comer (në qendër) flet gjatë seancës së parë zyrtare të Mbikëqyrjes në lidhje me hetimin e shkarkimit të Joe Biden më 28 shtator 2023.

Por, si me shumë gjëra të tjera që lidhen me aferën Hunter Biden, mbështetja e presidentit në mohimet gjithëpërfshirëse që përfundojnë duke u vënë në pikëpyetje nga të tjerët, ka lejuar që polemikat të acarohen për vite me radhë.

Një komplot rus

Pyetjet në lidhje me darkën e “Cafe Milano” kanë vijuar pjesërisht për shkak të dyshimit që Joe Biden hodhi mbi vërtetësinë e emaileve që përshkruan ngjarjen.

Në tetor 2020, New York Post filloi të publikonte emaile të ofruara nga aleati i Donald Trump dhe asokohe avokati personal, Rudy Giuliani, të cilat supozohej se ishin marrë nga laptopi që Hunter Biden kishte lënë në një dyqan riparimi kompjuterësh në Delaware.

Në vazhdën e publikimit të tyre, Joe Biden miratoi një teori alternative rreth dokumenteve: “Ka 50 ish-agjentë e agjentë të inteligjencës kombëtare që thanë se ajo për të cilën ai më akuzon është një fabrikim rus” ose plan rus”, tha ai në debatin e fundit presidencial atë muaj.

Letra e cituar nga Biden thoshte se “ardhja në skenën politike të SHBA-së e emaileve që supozohet se i përkisnin djalit të zëvendëspresidentit Biden, Hunter, ka të gjitha shenjat klasike të një operacioni komploti rus”, ndërsa pohoi se nënshkruesit nuk kishin njohuri të drejtpërdrejta për përfshirjen ruse. Që atëherë, natyra e dosjeve ka qenë një çështje e polemikave të vijueshme.

Inteligjenca amerikane kishte paralajmëruar me të vërtetë më herët gjatë fushatës se Moska po kërkonte të dëmtonte kandidaturën e Biden duke nxitur pretendime të pabazuara për korrupsion në lidhje me kompaninë ukrainase të energjisë, Burisma.

Por raportimet e mëvonshme janë grumbulluar vazhdimisht për të mbështetur vërtetësinë e dosjeve, të cilat një pronar i një dyqani riparimi pajisjesh elektronike në Delaware me emrin John Paul Mac Isaac ia paraqiti Giuliani-t dhe që Giuliani ia kaloi New York Post-it.

Mac Isaac paditi POLITICO-n, CNN, Hunter Biden, Kongresmenin demokrat Adam Schiff dhe komitetin e fushatës presidenciale të Biden për shpifje dhe konspiracion civil në 2022. Çështja mbetet në pritje në Sussex County, Delwaware.

Në tetor 2020, New York Post filloi të publikonte emaile të ofruara nga Rudy Giuliani që supozohet se ishin marrë nga pajisjet që Hunter Biden kishte lënë në një dyqan riparimi kompjuterësh në Wilmington, Delaware., i quajtur The Mac Shop

Në shtator 2021, një libër nga një gazetar i POLITICO vërtetoi disa emaile nga laptopi, duke përfshirë dy në qendër të shkrimeve origjinalë të New York Post, të bazuara pjesërisht në intervista me njerëz me njohuri të pavarura për korrespondencën.

Në mars të vitit të kaluar, The New York Times raportoi se një kombinim i njerëzve të përfshirë në hetimin federal të Hunter Biden dhe njerëzve të njohur me marrëdhëniet e tij të biznesit kishin vërtetuar një numër të paspecifikuar emailesh nga cache-ja. Më vonë atë muaj, The Washington Post raportoi se dy ekspertë që kishte pajtuar kishin verifikuar mijëra emaile të tjera.

Por në qershor, republikanët e Kongresit publikuan intervista me dy agjentë të IRS të cilët pretenduan keqpërdorim të çështjes Hunter Biden. Një nga sinjalizuesit, Gary Shapley, dha shënime të një takimi të tetorit 2020, që ai mbajti me agjentët e FBI-së për të diskutuar pajisjet e ofruara te FBI-ja nga Mac Isaac.

Shënimet tregojnë se FBI gjeti mbështetje të mëtejshme për pretendimin se Hunter Biden i kishte lënë pajisjet në dyqan riparimi: ato përfshijnë të dhëna financiare që tregojnë se Hunter Biden bleu në një dyqan purosh aty pranë rreth kohës kur pajisjet u hodhën jashtë dhe të dhënat telefonike që tregonin telefonata midis Hunter Biden dhe dyqanit të riparimit.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me skedarët e kompjuterit.

“Darka në Cafe Milano”

Pyetja nëse Joe Biden u takua me një ekzekutiv të Burisma në një darkë në “Cafe Milano” ka qenë një temë polemikash që kur dolën emailet e djalit të tij tre vjet më parë.

Emailet në cache tregojnë se Hunter Biden dhe Archer, partneri i tij i atëhershëm i biznesit, organizuan një darkë me afërsisht një duzinë njerëz të tjerë në “Cafe Milano” më 16 prill 2015. Një listë e të ftuarve që Hunter Biden i dërgoi Archer përfshinte një “Vadym” në kohën kur dyshja punonte ngushtë me ekzekutivin e Burisma-s, Vadym Pozharskyi.

Trafiku tjetër i postës elektronike tregon Hunter Biden duke informuar një pjesëmarrës “Babi do jetë atje, por mbaje atë mes nesh për momentin”.

Dhe një email nga Pozharskyi drejtuar Hunter Biden nga mëngjesi pas ngjarjes thotë: “Faleminderit që më ftuat në DC dhe më dhatë mundësinë të takojmë babanë tuaj dhe të kalojmë pak kohë së bashku.”

Ai email dhe emaili i listës së të ftuarve ishin në mesin e një grupi nga cache-ja që u vërtetuan për POLITICO nga dy ekspertë ligjorë dixhitalë, të cilëve iu dha anonimiteti për gjetjet e tyre. Një ekspert përmendi frikën e hakmarrjes për rëndimin e një polemike politike dhe tjetri tha se detyrimet kontraktuale i kufizuan çështjet për të cilat ai mund të fliste publikisht.

Përveç verifikimit nga ekspertët, autenticiteti i email-it falënderues u vërtetua më tej në një deklaratë nën betim të prodhuar nga një hetues i IRS-së për rastin, i cili u publikua nga republikanët e Kongresit në shtator.

“Ky email është marrë nga ekipi hetimor nëpërmjet një Urdhër Kërkimi Elektronik të shërbyer në Google në lidhje me llogarinë e emailit të Google të Hunter Biden”, shkroi agjenti i IRS, Joseph Zeigler.

Informatorët e IRS-së, Gary Shapley (majtas) dhe Joseph Ziegler (në mes) përpara se të dëshmojnë para Komitetit të Mbikëqyrjes më 19 korrik 2023. Agjentët  pretenduan keqpërdorim të çështjes Hunter Biden

Në kohën e darkës, Joe Biden drejtonte nismat e SHBA-së kundër korrupsionit në Ukrainë. Ato përfshinin përpjekjet e Departamentit të Shtetit për të rikuperuar asetet që dyshohet se ishin marrë në mënyrë korruptive nga pronari i Burisma, Mykola Zlochevsky, i cili i kishte dhënë kompanisë licenca burimesh fitimprurëse ndërsa shërbente si ministër i Ekologjisë i Ukrainës. Zlochevsky ka mohuar keqbërjen.

Ndërsa të pranishmit në darkën e “Cafe Milano” pajtohen që Joe Biden ishte i pranishëm, përfaqësuesit e tij lëshuan mohime të përsëritura për çdo takim midis zëvendëspresidentit të atëhershëm dhe Pozharskyi-t.

Dhe disa të pranishëm në darkë kishin bërë deklarata publike që forconin idenë se, pavarësisht nga emailet që sugjeronin një takim Biden-Pozharskyi, të dy burrat nuk ishin takuar kurrë.

Një tjetër i pranishëm, Rick Leach, i cili shërbeu si president i Programit Botëror të Ushqimit jofitimprurës në SHBA në kohën e darkës, tha për POLITICO se nuk besonte se Pozharskyi kishte qenë i pranishëm.

“Unë nuk mendoj kështu,” tha ai.

“Nuk e mbaj mend atë emër. Nuk e mbaj mend fare atë person.”

Në tetor 2021, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë i dërgoi email POLITICO-s për të kërkuar që një shkrim të përditësohej për të pasqyruar se përfaqësuesit e presidentit mohuan jo vetëm një takim zyrtar, por çdo takim. Zyrtari citoi një deklaratë nga zëdhënësi i fushatës Andrew Bates për USA Today se Biden dhe Vadym Pozharskyi “nuk kanë pasur kurrë një takim”.

Ndërsa një mohim i mëparshëm i kampit të Biden-it i referohej “orareve zyrtare”, gjuhë që potencialisht linte të hapur mundësinë e një takimi jozyrtar në një darkë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë siguroi POLITICO-n se Biden nuk kishte pasur as një takim jozyrtar me Pozharskyi-n.

Por në korrik, Archer, i cili ndoqi një sërë sipërmarrjesh me Hunter Biden gjatë epokës së Obamës, dëshmoi në Komitetin e Mbikëqyrjes së Dhomës për marrëdhëniet e tyre. Archer, i cili u dënua në vitin 2018 për mashtrim si pjesë e një skeme në të cilën Hunter Biden nuk ishte i përfshirë, kishte marrë pjesë në darkën e “Cafe Milano”.

Archer dëshmoi se Pozharskyi dhe Joe Biden gjithashtu morën pjesë në darkë, një llogari që është në përputhje me emailet e zbuluara të Hunter Biden.

Dëshmia e Archer kundërshtoi në mënyrë specifike pretendimet e transmetuara në një kontroll të fakteve të Washington Post se Biden as nuk ishte ulur në darkë dhe kishte folur vetëm me një pjesëmarrës tjetër: Alex Karloutsos, një klerik ortodoks grek.

“Ky nuk është raportim i saktë,” dëshmoi Archer.

Archer tha se zëvendëspresidenti i atëhershëm hëngri darkë së bashku me grupin.

“Më kujtohet vetëm një darkë e zakonshme ku kishte një tryezë bisedash,” u tha ai hetuesve të Kongresit.

Çështja nëse Joe Biden u takua me një ekzekutiv të Burisma-s në një darkë në Cafe Milano në 2015-ën, ka qenë një temë polemikash që kur dolën emailet e djalit të tij tre vjet më parë

Kontakti i supozuar i Biden me një ekzekutiv të Burisma-s është një çështje e ndjeshme pjesërisht për shkak të pretendimeve të promovuara nga aleatët e Trump gjatë fushatës së fundit presidenciale, se Joe Biden kërkoi shkarkimin e një prokurori ukrainas që kishte hetuar Burisma-n për shkak të pozicionit të djalit të tij me kompaninë.

Por hetimet e mëvonshme nuk arritën ta vërtetojnë këtë pretendim: Zyrtarë të njohur me politikën e SHBA-së për Ukrainën dëshmuan në Kongres se shkarkimi i prokurorit, Viktor Shokin, ishte në përputhje me atë politikë dhe republikanët e Senatit nuk gjetën prova të qarta që pozicioni i bordit të Hunter Biden çoi në ndryshime në politikën e SHBA-së.

Pyetjet në lidhje me kontaktet e supozuara të Biden me Pozharskyi-n janë rishfaqur, me publikimin e një pretendimi të paverifikuar të bërë nga një informator i paidentifikuar i FBI-së që i bëri jehonë pretendimeve fillestare të aleatëve të Trump.

Informatori pretendoi se pronari i Burisma-s tha privatisht se ai ishte nën presion nga Joe dhe Hunter Biden për t’i korruptuar ata për ndihmë në zgjidhjen e çështjeve ligjore të Burisma-s, duke përfshirë shkarkimin e Shokin.

Informatori përmendi fillimisht rolin e Hunter Biden me Burisma-n në një bisedë të vitit 2017 me FBI-në, sipas një formulari të agjencisë që regjistronte pretendimet e tij, i cili u mor nga republikanët e Kongresit dhe u bë publike në korrik. FBI-ja riintervistoi informatorin, identiteti i të cilit mbetet sekret, në vitin 2020, pasi Departamenti i Drejtësisë së Trump filloi të shqyrtojë pretendimet për shkarkimin e Shokin.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm Bill Barr, i cili shërbeu nën presidentin Trump, i tha Fox News se hetuesit e Departamentit të Drejtësisë arritën në përfundimin se informacioni nuk dukej të ishte dezinformim dhe ia përcollën atë Zyrës së Prokurorit të SHBA-së në Delaëare në vitin 2020.

Shtëpia e Bardhë Biden i ka hedhur poshtë akuzat.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë i tha POLITICO: “Vite të tëra hetimesh nga republikanët e Kongresit nuk faktuan asnjë keqbërje nga Joe Biden, sepse e vërteta është se Presidenti nuk bëri asgjë të keqe.”

“Nuk u diskutua kurrë”

Mohimi i Pozharskyi-t nga Shtëpia e Bardhë është vetëm një nga disa që është kundërshtuar nga të tjerët.

Pasi çështja e marrëdhënieve të biznesit të të afërmve të Biden doli për herë të parë në vitin 2019, Joe Biden lëshoi ​​një mohim gjithëpërfshirës që e distancoi veten nga çështjet tregtare të familjes së tij: “Unë kurrë nuk kam diskutuar, me djalin apo vëllanë tim apo me dikë tjetër, ndonjë gjë që ka të bëjë me bizneset e tyre. Pikë.”, u tha ai gazetarëve në Spartanburg, Karolina e Jugut, atë gusht.

Në tetor 2020, një ish-partner biznesi i Hunter Biden, Tony Bobulinski, tha se ai diskutoi sipërmarrjet e biznesit kinez të Hunter Biden me Joe Biden.

“Kjo është e rreme,” tha Bobulinski, në një deklaratë të përgatitur, për pretendimin e Biden se nuk ka diskutuar kurrë bizneset me Hunter-in.

Bobulinski , i cili më parë kishte dhënë kontribute në fushatën federale kryesisht për demokratët dhe po punonte me republikanët e lidhur me Trump për të publikuar akuzat e tij, tha se Hunter Biden dhe xhaxhai i tij, James Biden, i cili është vëllai më i vogël i presidentit, e prezantuan atë me Joe Biden në Los Angeles në fillim të majit 2017.

“Në takimin tim rreth një orë me Joe-n atë natë, ne diskutuam historinë e Biden-ëve, planet e biznesit të familjes Biden me kinezët, me të cilat ai ishte qartësisht i njohur, të paktën në një nivel të lartë,” tha Bobulinski në deklaratë.

Tony Bobulinski, një ish-partner biznesi i Hunter Biden, tha se ai diskutoi sipërmarrjet e biznesit kinez të Hunter Biden me Joe Biden

Në një intervistë të vitit 2020 në Fox News me ekspertin konservator Tucker Carlson, Bobulinski tha se James dhe Hunter Biden gjithashtu morën pjesë në takim.

“Ne nuk u futëm në shumë hollësi mbi biznesin,” tha Bobulinski, por ai tha se ishte “krejt e qartë” që Hunter Biden kishte diskutuar marrëveshjen me babanë e tij.

Në shtator, republikanët e Kongresit  publikuan një përmbledhje të FBI-së të një interviste të agjentëve të kryer me Bobulinski-n në vjeshtën e vitit 2020, duke treguar se Bobulinski u tha hetuesve të njëjtën histori bazë: se ai kishte diskutuar sipërmarrjen në Kinë me Joe Biden. Përmbledhja i jep peshë shtesë pretendimeve publike të Boublinskit, sepse gënjeshtra e FBI-së për të ndikuar në një hetim mund të çojë në akuza penale.

Bobulinski ka thënë se ai nuk e diskutoi biznesin thellësisht me Joe Biden. Archer ka thënë se Joe Biden ishte i njohur me marrëdhëniet e biznesit të djalit të tij dhe se ai e ka parë presidentin të shkëmbejë batuta me partnerët e biznesit të djalit të tij përmes telefonit, por se nuk e ka parë atë të përfshihet në hollësitë e biznesit të djalit të tij.

Në një shkrim të botuar në shtator, ish-presidenti i një fondi mbrojtës që drejtohej nga James dhe Hunter Biden një dekadë e gjysmë më parë i tha Wall Street Journal se Joe Biden, atëherë Senator, ndonjëherë merrte pjesë në takime biznesi me të afërmit e tij.

Ish-ekzekutivi i Paradigm Global Advisors Charles Provini tha se pjesa më e madhe e pjesëmarrjes së Joe Biden ishte “thjesht për kënaqësi”, por se tema si detyrat e punës së Provinit dhe çështjet gjyqësore në lidhje me fondin u diskutuan gjithashtu në këto takime. Provin paditi Paradigm dhe çështja u pushua.

E pyetur në korrik nga një gazetar nëse Shtëpia e Bardhë i qëndronte pretendimeve se Biden nuk kishte diskutuar kurrë marrëdhëniet e tij të biznesit me djalin e tij, zëdhënësja Karine Jean-Pierre u përgjigj me një pretendim më të kufizuar: “Presidenti nuk ka qenë kurrë në biznes me djalin e tij,” tha ajo.

Në përgjigje të një  pyetjeje në lidhje me bisedat telefonike të detajuara nga Archer, presidenti tha në gusht, “Unë kurrë nuk kam folur për biznes me askënd”, një deklaratë në përputhje me dëshminë e Archer.

E pyetur nëse presidenti i qëndron mohimit  se nuk diskutuar ndonjëherë marrëdhëniet e biznesit të të afërmve të tij me dikë, Shtëpia e Bardhë citoi dëshminë e dëshmitarëve të Kongresit, të cilët thanë se nuk kishin vërejtur ndonjë ndërveprim të tillë.

Jo para nga Kina

Joe Biden është përballur gjithashtu me pyetje në lidhje me marrëdhëniet e Hunter Biden jashtë Ukrainës.

Në debatin e tetorit 2020, Joe Biden u pyet për përshtatshmërinë e punës së Hunter në Kinë dhe për Burisma-n gjatë nënpresidencës së tij.

“Djali im nuk ka bërë para për këtë çështje, për çfarë po flisni, Kina. Unë nuk kam pasur…i vetmi djalë që ka bërë para nga Kina është ky djalë”, tha ai, duke iu referuar Trump.

“Askush tjetër nuk ka bërë para nga Kina.”

Pyetja e moderatorit i referohej punës së Hunter Biden në Kinë gjatë nënpresidencës së Biden. Hunter Biden hyri në një sipërmarrje me menaxherët kinezë të aseteve, Bohai Harvest RST, gjatë nënpresidencës së babait të tij.

Shkalla në të cilën Hunter Biden përfitoi nga përfshirja e tij në sipërmarrje mbetet e paqartë. Një përfaqësues i Hunter Biden ka thënë se puna e tij në një bord këshillues në lidhje me sipërmarrjen gjatë viteve të Obamës ishte e papaguar.

Por pretendimi më i përgjithshëm se Hunter Biden nuk fitoi para nga Kina është i rremë. Në gjykatë këtë korrik, Hunter Biden pranoi qindra mijëra dollarë pagesa nga një firmë energjetike kineze, CEFC, dhe njerëz të lidhur me të, pas nënpresidencës së babait të tij.

Subjektet e kontrolluara nga James dhe Hunter Biden përfunduan duke marrë gati 5 milionë dollarë tarifa ligjore dhe këshillimi nga kompania kineze e energjisë dhe drejtuesit e saj kur babai i tij ishte jashtë detyrës, sipas një analize të Washington Post të publikuar vitin e kaluar. Në një seancë dëgjimore për pranimin e fajësisë këtë korrik, Hunter Biden pranoi se kishte marrë të ardhura nga CEFC.

Asnjë përfitim nga emri Biden

Biden ka ofruar gjithashtu siguri se të afërmit e tij nuk kanë përfituar nga shoqërimi i tyre me një zyrtar të fuqishëm publik.

Në një intervistë të tetorit 2020, reporterja televizive e zonës së Milëaukee, Adrienne Pedersen i citoi kandidatit të atëhershëm Biden një deklaratë nga senatori republikan i Wisconsin, Ron Johnson, që pretendonte se “Hunter Biden, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes Biden, përfituan nga emri Biden”.

“A ka ndonjë legjitimitet për pretendimet e Senatorit Johnson?” Pyeti Pedersen.

“Asgjë”, tha Biden, duke shtuar, “Ron duhet të ketë turp”.

Komenti origjinal i Johnson u bë në kontekstin e një raporti të vitit 2020 të lëshuar nga republikanët e Senatit që shqyrtonte marrëdhëniet e jashtme të të afërmve të Biden. Raporti detajonte pagesat e supozuara të bëra nga CEFC dhe njerëzit e lidhur me të në llogaritë e lidhura me Hunter Biden, James Biden dhe gruan e James, Sara Biden.

Hunter Biden pranoi se kishte marrë qindra mijëra dollarë pagesa nga CEFC dhe njerëzit e lidhur me të, pas i babai i tij nuk ishte më zv.president

Dhe ka të dhëna të reja se shoqëria e tyre me Joe Biden ndihmoi në hapjen e rrugës për këto pagesa.

Kjo përfshin përmbledhjen e intervistës së Bobulinski-t për FBI-në të lëshuar në shtator nga Komiteti i Kongresit . Bobulinski u tha agjentëve se James dhe Hunter Biden ndihmuan hapjen e dyerve për CEFC në të gjithë botën gjatë nënpresidencës së Joe Biden pa u kompensuar, por se ata donin pagesën për atë ndihmë pasi ai u largua nga detyra, sipas përmbledhjes.

Bobulinski tha se James dhe Hunter Biden “besonin se CEFC u detyrohej atyre para për përfitimet e CEFC-së përmes përdorimit të emrit të familjes Biden për të çuar përpara marrëdhëniet e tyre të biznesit”, sipas përmbledhjes së intervistës nga FBI.

Të dhënat nga një intervistë tjetër e FBI-së, e kryer me ish-partnerin e biznesit të Hunter Biden, Rob Walker dhe të publikuara nga republikanët e Kongresit në qershor, hedhin dyshime gjithashtu mbi pretendimin e presidentit.

Walker u tha hetuesve se Hunter Biden organizoi që babai i tij të ndalonte për një drekë me partnerët e tyre të biznesit kinez në restorantin “Four Seasons” në Uashington. Walker ra dakord me sugjerimin e një agjenti që Hunter Biden organizoi dorëheqjen, e cila ndodhi kur Joe Biden nuk ishte më zëvendëspresident , për ta ndihmuar atë të mbyllte një marrëveshje me drejtuesit e CEFC-së.

Raporti i vitit 2020 nga republikanët e Kongresit shqyrtoi gjithashtu punën në Burisma të Hunter Biden. Në intervistën e tij në Kongres në korrik, Archer tha se “një pjesë e madhe e vlerës” që Hunter Biden solli te Burisma ishte “emri” i familjes Biden – dhe se Joe Biden “i solli vlerën më të madhe”.

Jashtë marrëveshjeve të mbuluara nga ai raport, ka shenja të tjera që të afërmit e Biden kanë përfituar nga emri Biden gjatë viteve.

Ato përfshijnë akuza të bëra nga ish-kontaktet e biznesit të Hunter dhe James Biden në padi. Në një rast që daton në mandatin e parë të administratës së Obamës, kur Joe Biden ishte zëvendëspresident, një ish-partner biznesi në një fond mbrojtës pretendoi se – gjatë një mosmarrëveshjeje rreth një projektligji ligjor – James dhe Hunter Biden, “refuzuan të paguajnë faturën, duke përmendur vazhdimisht lidhjet e tyre politike dhe statusin familjar si bazë për të hequr dorë nga detyrimi.” James dhe Hunter Biden i mohuan akuzat.

Mbështetja e presidentit në mohimet që përfundojnë duke u vënë në pikëpyetje nga të tjerët, ka bërë që polemikat rreth Hunter Biden (djathtas) të acarohen për vite me radhë

Ish-kontaktet e biznesit të James Biden pretenduan në një padi në vitin 2019 se ai premtoi se Joe Biden do përfshinte modelin e tyre të biznesit në fushatën e tij presidenciale në mënyrë që t’i joshte ata në një partneritet.

“Të gjitha premtimet ishin në emrin Biden,” tha një nga drejtuesit e përfshirë në padi për Knoxville News Sentinel në atë kohë. James Biden i ka mohuar akuzat.

Vëllai më i vogël i Joe Biden, Frank Biden, ka përmendur gjithashtu emrin e familjes gjatë marrëdhënieve të tij të biznesit. Gjatë administratës së Obamës, Frank Biden shërbeu si lobist dhe president i një kompanie të shkollave, “Mavericks in Education”, në një kohë kur zgjerimi i shkollave fitimprurëse ishte politikisht i diskutueshëm.

Gjatë kërkimit të miratimeve për një nga shkollat ​​e kompanisë, Frank u zotua në Bordin e Shkollës së Qarkut Palm Beach në shkurt të vitit 2011, “Unë ju jap fjalën time të nderit për emrin e familjes sime se ky sistem është i qëndrueshëm”.

Kompania nxori njoftime për shtyp duke e përshkruar Frank si “Vëllai i zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara dhe President dhe Drejtor i Mavericks Education” dhe “vëllai i zëvendëspresidentit Joe Biden”.

Në një intervistë të vitit 2011 me Washington Post, Frank Biden tha se ai nuk bëri tregti me emrin Biden, por se ai përfitoi prej tij.

“Është një pasuri e jashtëzakonshme,” tha ai për emrin.

“Më pëlqen pranimi i menjëhershëm ose të paktën të dëgjoj atë që kam për të thënë.”

Në një email të zbuluar të tetorit 2011, Hunter Biden shkroi për apelin e tij drejtuar një partneri biznesi kinez: “Nuk ka të bëjë fare me mua dhe gjithçka ka të bëjë me mbiemrin tim”.

Ai email u vërtetua gjithashtu nga të dy ekspertë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Politico