Vendosni fjalën kyçe....

Meta mbështet aksionin e deputetëve në Kuvend: Opozitës po i asgjesohen të drejtat


Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë në mbrojtje të Rithemelimit, pavarësisht kaosit që ata po krijojnë në Kuvend duke sabotuar punën e seancave plenare, por edhe të Komisioneve.

Në një postim në Facebook, Meta dënon militarizimin e Kuvendit nga mazhoranca dhe asgjesimin e të drejtave kushtetuese të opozitës.

Meta shkruan se kjo krizë nuk zgjidhet me Gardën, por duke respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

 “Dënoj me ashpërsi militarizimin e institucionit më të rëndësishëm të Republikës, Kuvendit të Shqipërisë.  Asgjësimi i të drejtave kushtetuese të opozitës është sulm ndaj pluralizmit politik dhe llogaridhënies para qytetarëve. Partia e Lirisë mbështet vendosmërisht qëndrimin e opozitës e në veçanti:

Garantimin e ngritjes të komisioneve hetimore në Kuvend; Të drejtën e opozitës për të zgjedhur përfaqësuesit e saj në Komisionin e Reformës Zgjedhore; Garantimin e shqyrtimit të të gjitha projektligjeve që opozita ka depozituar në Kuvend dhe që bllokohen prej vitesh.

Deputetët e opozitës përfaqësojnë zërin e mbi 700 mijë qytetarëve të cilët kanë të drejtë të dëgjohen. Kjo krizë e rëndë nuk zgjidhet me Gardën e Republikës por me respektimin e Kushtetutës dhe Rregullores të Kuvendit, si baza e funksionimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, shkruan Meta.