Vendosni fjalën kyçe....

Sula: Nëse është shkelur procedura, çështja e goditshme në themel, u anashkalua Parlamenti


Deputeti i PD-së Dashnor Sula tha sot se ka pasur një nxitim nga gjykata në rastin e kufizimit të lëvizjes së Berishës.

Ai ishte i ftuar në News24 ku tha se nëse prokuroria e gjykata kanë shkelur procedurën atëherë hetimet janë të gotishme që në themel.

“Shprehja që qarkullon nëpërmjet juristëve është që dy juristë nuk i gjen në një mendje asnjëherë. Ligji ka interpretim gjithmonë. Por siç e lexoj unë ligjin dhe pa dashur të ndikohem nga z. Berisha, them se ka një nxitim nga gjykata se si lexohet ligji. Prokurori dhe gjykatësi udhëhiqet nga kodi i procedurës penale ose civile. Në çfarëdo lloj gjykate madje edhe në Strasburg, gjëja e parë kur një gjykatë shikon është respektimi i procedurës. Nëse kemi shkelje të procedurës nuk i hyn fare themelit të çështjes dhe kjo ndodh në çdo proces. Në rastin konkret, nëse do të rrijë në këtë status quo kjo është e goditshme si çështje në themel. Ky nxitim i tillë nuk kishte pse të ndodhte.” – tha Sula.

Më tej deputeti demokrat shtoi se opozita do votojë çdo kërkesë të prokurorisë duke theksuar se sipas ligjit, bllokimi i pasaportës së një deputeti kërkon autorizimin e parlamentit duke shtuar se për bllokimin e pasaportës dhe kontrollin e banesës është anashkaluar Kuvendi.

“Ne kemi deklaruar se do të votojmë pro çdo lloj kërkese që vjen nga Prokuroria. Në rastin konkret, Kodi i Procedurës Penale, është i qartë. Ndalimi i pasaportës të kërkon autorizimin nga Parlamenti. Ndryshimet janë bërë në vitin 2012 dhe kemi kërkuar që të mos kishte fare imunitet deputeti. Sot organi hetues ka të drejtë të gjurmojë deputetin. Për kontrollin e banesës dhe masën e sigurimit, këtu është anashkaluar Kuvendi. Nuk e di pse është anashkaluar kjo. Ligjvënësi është parashikuar që edhe në rastet kur Parlamenti nuk i jep autorizim, përsëri në bazë të nenit 289, organi hetues ka të drejtë të vazhdojë hetimin.” – theksoi ai.