Vendosni fjalën kyçe....

Sigurimi i shtëpive nga fatkeqësitë natyrore, Ministri Mete: Nuk është taksë, por një veprim bazik sigurimi


Në mbledhjen e qeverisë, Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete është pyetur nga mediat ditën e sotme lidhur me draft-ligjin për sigurimin e banesave për fatkeqësitë natyrore.

Ministri Mete u shpreh se kjo tarifë nuk është një taksë, por një veprim bazik sigurimi që do mundësojë mbrojtje nga tërmeti.

Ai shtoi se thelbi i tij është që të jetë i përballueshëm nga qytetarët. Mete zbuloi se gjithçka qëndron te krijimi i një fondi ku transferohet risku nga vendi te kompanitë më të mëdha.

Sa i përket vlerës së kësaj tarife, ministri tha se ajo do të përllogaritet në vijim dhe do detajohet në mënyrë që t’i përgjigjet edhe natyrës së rrezikut, por edhe shtrirjes gjeografike, që do ndikojë edhe në pagesë.

“Nuk është taksë, është një veprim bazik sigurimi që do mundësojë mbrojtje nga tërmeti. Thelbi i tij do jetë të jetë i përballueshëm. Edhe për shtresat me mbështetje do sigurohemi të jetë i përballueshëm”.

“Drafti do rishikohet në frymën e praktikave më të mira, po e shqyrtojmë me Bankën Botërore. Në Turqi është përdorur një skemë e tillë, Thelbi është krijimi i një fondi ku transferohet risku nga vendi te kompanitë më të mëdha. Ku në rast risku do të kemi ndërhyrje më të shpejtë. Buxheti i shtetit ka financuar për rindërtimin tani 890 milionë euro.

Në momentin që ngrihen skema të tilla, krijohet mundësia që të transferohet risku dhe të veprohet shpejt në rast katastrofe. Draft-ligji është në diskutim. Vlera do të përllogaritet dhe do detajohet me VKM që t’i përgjigjet edhe natyrës së rrezikut, por edhe shtrirjes. Sa më e gjerë shtrirja, aq më e ulët është pagesa”, u shpreh ai.