Autoritetet ligjzbatuese në Kosovë e kanë arrestuar të premten një burrë për të cilin dyshojnë se ishte përfshirë në sulmin vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe në vitin 2023.
Në një njoftim për media, Prokuroria Speciale e Kosovës tha se i dyshuari, të cilin e identifikoi vetëm me inicialet S.R., u arrestua nga oficerët policorë në pikëkalimin kufitar me Serbinë, Merdare, dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ajo nuk dha më shumë hollësi rreth të dyshuarit.
Por, më vonë, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari është Stefan Raduloviq, duke e përshkruar atë si “edhe një terrorist i dyshuar, në kërkim, në lidhje me rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit me qëllim aneksimin e veriut”.
“Koha e tolerancës ka përfunduar. Ata do të kapën kudo që hasën. Vazhdojmë pa ndalur për kushtetutshmëri e ligjshmëri”, shkroi ai në Facebook.
Prokuroria tha se ai u arrestua mbi bazën e dyshimit se ishte përfshirë në vepra penale “të natyrës së rëndë, përfshirë veprat që lidhen me sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues”.
Ai dyshohet për dy vepra, një terroriste dhe një kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Arrestimi i tij vjen dy ditë pasi të mërkurën prokurorët kërkuan burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit për rastin Banjska, gjatë fjalës përfundimtare në gjyqin ndaj tyre në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Policia e Kosovës ishte sulmuar nga një grup i serbëve të armatosur më 24 shtator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Si pasojë ishte vrarë një rreshter policor, ndërsa gjatë këmbimit të zjarrit në vijim ishin vranë tre sulmues serbë.
Tani, në Gjykatën Themelore në Prishtinë po gjykohen Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët mund të përballen me burgim të përjetshëm nëse shpallen fajtorë.
Ata janë vetëm tre nga 45 personat e përfshirë në aktakuzën për sulmin në Banjskë, që Kosova e cilëson si terrorist dhe e fajëson Serbinë për të.
Tre të akuzuarit i kanë mohuar akuzat dhe kanë pretenduar se nuk e kishin qëllim vrasjen e askujt, e aq më pak bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë, ashtu siç thotë aktakuza.
Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – që gëzon përkrahjen e Beogradit zyrtar.
Beogradi, ndërkaq, ka mohuar se qëndron prapa sulmit.
Për Radoiçiqin dhe 41 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, prokurorët kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën e tyre si të “pabazuar”.
Dyzet e dy të dyshuarit akuzohen për terrorizëm, vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, ndërsa Radoiçiq akuzohet edhe për lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit, si dhe për shpëlarje parash./REL
