
Në Prishtinë janë zhvilluar homazhe për nder të Ditës së Dëshmorëve, ku përfaqësues të institucioneve dhe partive politike kanë nderuar figurat e rënë për lirinë e vendit.
Para shtatores së Zahir Pajazitit në Prishtinë, në kuadër të shënimit të Ditës së Dëshmorëve, homazhe ka bërë kryetarja e Kuvendit, njëherësh u.d e presidentes, Albulena Haxhiu, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Ata vendosën kurora me lule dhe nderuan sakrificën e dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e vendit.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka vlerësuar Zahir Pajazitin dhe bashkëluftëtarët e tij si figura kyçe të rezistencës së organizuar kundër regjimit të atëhershëm, duke theksuar guximin dhe vendosmërinë e tyre në rrethana të vështira për vendin, shkruan RTK.
“Kontributi i tyre nuk ishte vetëm kontribut gueril, ushtarak apo profesional, por ishte edhe kontribut moral për faktin se ata ngritën lart shpresën që vendi jonë mund të ketë liri, mund të çlirohet dhe mund të jetë i pavarur”, ka deklaruar ajo.
Homazhe kanë bërë edhe deputetë dhe anëtarë të PDK-së.
Ndërsa më herët, i pari i Prishtinës, Përparim Rama, përkujtoi sakrificën e atyre që dhanë jetën për liri, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike.