Vendosni fjalën kyçe....

Konflikti në Lindjen e Mesme, Blinken rikthehet sërish në Izrael pas takimeve në shtetet arabe


 

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është rikthyer në Izrael për herë të dytë në më pak se një javë për konsulta me zyrtarët e lartë izraelitë pas diskutimeve që pati me liderët arabë për luftën mes Izraelit dhe Hamasit.

Blinken arriti në Tel Aviv më 16 tetor pasi vizitoi gjashtë shtete arabe, ku dëgjoi shqetësimet e liderëve arabë për një sulm tokësor të Gazës që do të shkaktonte një katastrofë humanitare për palestinezët dhe ndoshta do të nxiste një konflikt më të gjerë rajonal.

Ai do të zhvillojë bisedime me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe anëtarët e ekipit të tij të sigurisë kombëtare, përderisa Shtëpia e Bardhë po e shqyrton mundësinë që presidenti amerikan, Joe Biden, të vizitojë Izraelin gjatë kësaj jave.

Blinken po ashtu do të takohet ndaras me presidentin izraelit, Isaac Herzog, ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe liderin opozitar, Yair Lapid.

Biden, Blinken dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë kanë premtuar mbështetje të palëkundur me Izraelin, përderisa ky shtet po kundërpërgjigjet ndaj sulmeve vdekjeprurëse të grupit militant, Hamas, që kanë lënë të vrarë mbi 1.400 izraelitë që nga java e kaluar.

Por, përderisa planet e Izraelit për një sulm ushtarak për të zhdukur Hamasin po zhvillohen, shtetet arabe dhe të tjerët kanë ngritur alarmin për numër të lartë të viktimave civile dhe për një krizë të madhe humanitare.

Pasi vizitoi Izraelin të mërkurën e kaluar për të shprehur solidaritetin amerikan, Blinken udhëtoi në rajon, duke u takuar me liderët e Jordanisë, Autoritetit Palestinez, Katarit, Bahrejnit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite dhe Egjiptit. Të gjithë liderët e këtyre shteteve arabe kërkuan që civilët të mbrohet dhe t’u ofrohet ndihmë për të mbijetuar operacionin izraelit.

Përderisa shqetësimet u rritën, SHBA-ja po ashtu ka kërkuar që Izraeli të respektojë ligjet e luftës, sa i përket trajtimit të civilëve.

Blinken dhe zyrtarët e tjerë po shqyrtojnë edhe idenë e krijimit të zonave të sigurta në Rripin e Gazës dhe që ndihma humanitare të arrijë te civilët.

Hamasi nisi sulme ajrore, tokësore dhe detare ndaj Izraelit më 7 tetor.

Izraeli u kundërpërgjigj ashpër, duke bombarduar Rripin e Gazës.

Si pasojë e dhunës, në Izrael janë vrarë mbi 1.400 izraelitë, ndërkaq në Rripin e Gazës janë raportuar 2.670 palestinezë të vrarë.

Izraeli ka urdhëruar mbi 1 milion palestinezë të evakuohen në jug të Gazës. Ky shtet ka thënë se po tenton të largojë civilët para se të ndërmarrë një fushatë të madhe kundër Hamasit në veri të Rripit të Gazës.