Vendosni fjalën kyçe....

Ora e Hitlerit shitet për 1.1 milion dollarë në ankand


Një orë që thuhet se i përkiste liderit nazist Adolf Hitler është shitur për 1.1 milion dollarë në një ankand në SHBA.

Ora Huber, e cila i është shitur një ofertuesi anonim, ka inicialet AH të gdhendura në të.

Mirëpo ky ankand ka tërhequr kritika. Siç shkruan BBC, udhëheqësit hebrenj e dënuan ankandin përpara shitjes së orës në Alexander Historical Auctions në Maryland.

Megjithatë, shtëpia e ankandeve e cila ka shitur relike naziste edhe më parë në të kaluarën, u tha mediave gjermane se qëllimi i saj ishte ruajtja e historisë.

Një vlerësim nga shtëpia e ankandit thotë se ora u mor si një suvenir kur rreth 30 ushtarë francezë sulmuan Berghof-in, vendstrehimi malor i Hitlerit në maj 1945.

Më pas mendohet se ora është rishitur dhe ka kaluar nëpër disa breza deri më tani. Artikuj të tjerë në ankand përfshinin një fustan që i përkiste gruas së Hitlerit, Eva Braun, foto me autograf të zyrtarëve nazistë dhe një pëlhurë të verdhë Ylli i Davidit të shtypur me fjalën “Jude“, që është gjermanisht për hebre. Gjatë holokaustit, nazistët i detyruan hebrenjtë të mbanin identifikuesit e verdhë si shirita ose distinktivë, me qëllim që t’i izolonin dhe ngacmonin.

Por në një letër të hapur të nënshkruar nga 34 liderë hebrenj, shitja e orës së Hitlerit është konsideruar si “e neveritshme” dhe ata bënë thirrje që sendet naziste të tërhiqeshin nga ankandi.