Vendosni fjalën kyçe....

8-mujori, fitimi neto i sektorit bankar është në rritje me 87%


Fitimi neto i sektorit bankar iu afrua nivelit të 21 miliardë lekëve për 8-mujorin e parë të këtij viti dhe shënoi një rekord të ri historik për periudhën.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, fitimi neto për 8-mujorin arriti në 20.8 miliardë lekë, në rritje me 87% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja e fitimeve ka sjellë një përmirësim të dukshëm edhe në treguesit e rentabilitetit.

Kthimi nga kapitali (ROE), mesatarizuar me bazë vjetore, në fund të gushtit arriti në 16.78%, nga 9.21% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa kthimi nga aktivet para taksave (ROA) është rritur në 1.93%, nga 1.02% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kthimi nga kapitali dhe kthimi nga aktivet janë në nivelet më të larta që prej janarit 2019.

Të dhënat mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë mbështeten në standardet lokale të mbikëqyrjes dhe mund të kenë diferenca me rezultatet që bazohen në standardet ndërkombëtare të raportimit financiar dhe që zakonisht bankat i raportojnë me frekuencë tremujore.

Të dhënat e deritanishme sipas Standardeve Ndërkombëtare të raportimit Financiar konfirmojnë një tendencë gjithashtu pozitive, por me diferenca më të vogla krahasuar me vitin 2022. Deri në fund të 6-mujorit, sektori bankar raportoi një fitim neto në vlerën e 14.7 miliardë lekëve, në rritje me afërsisht 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në analizën e Raportit të Stabilitetit Financiar për 6-mujorin I, publikuar javën e kaluar, Banka e Shqipërisë vlerësonte se sektori bankar ka regjistruar rritje të konsiderueshme në të ardhurat neto nga interesat, të lidhur me rritjen e fortë në të ardhurat nga interesat krahas një rritjeje më të ngadaltë të shpenzimeve për interesa.

Nga ana tjetër, shpenzimet e veprimtarisë dhe ato për provigjione janë rritur, duke ndikuar negativisht në fitimin e sektorit bankar. Të ardhurat nga komisionet vijojnë të mbeten të qëndrueshme dhe janë kthyer në një burim të rëndësishëm të ardhurash për sektorin bankar gjatë viteve të fundit.

Rezultati neto i bankave është ndikuar pozitivisht edhe nga pakësimi i ndjeshëm i humbjeve nga

investimet në instrumente financiare, që vitin e kaluar patën dhënë një efekt negative, si rezultat i rritjes së shpejtë të normave të interesit dhe yield-eve.

Një faktor tjetër pozitiv është qëndrueshmëria e raportit të kredive me probleme. Treguesi i kredive me probleme në fund të muajit gusht ishte në nivelin 5.3%, me një rritje të lehtë prej 0.1 pikë përqindje që nga fillimi i vitit dhe afërsisht në të njëjtën nivel me gushtin e një viti më parë.

Vlerësohet se forcimi i Lekut dhe frenimi i rritjes së mëtejshme të normave të interesit nga Banka e Shqipërisë ka dhënë një efekt pozitiv në aftësinë paguese të kredimarrësve, duke ndihmuar në mbajtjen në nivele të menaxhueshme të raportit të kredive me probleme.

Në kushtet kur të ardhurat neto nga interesat po rriten dhe shpenzimet për provigjione nuk po shënojnë rritje domethënëse, rezultati financiar i bankave vazhdon të rritet dhe të paktën në vlerë absolute, është në nivele rekord./E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor