Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Kryesia e PD-së mblidhet vetëm për përjashtime, Bashën nuk e do shumica e deputetëve


Gazment Bardhi ka bërë ironi me vendimin e Kryesisë së PD-së zyrtare, e cila dje vendosi ta përjashtojë atë nga partia pas bashkëpunimit me Sali Berishën

Bardhi garantoi se opozita do të unifikohet, ndërsa e cilësoi Kryesinë e PD-së, me në krye Lulzim Bashës një aleancë me një anëtarësi prej 15 vetash e vetëshpallur si e tillë që nuk merr vendime të tjera përveç përjashtimeve të deputetëve.

Bardhi u shpreh se akti më i rëndë i Bashës është se qëndron të krye të një partie që shumica nuk e do.

“Nuk ka përjashtim më të rëndë për një anëtar të PD-së, për një ish kandidat për kryeministër, sesa të shpallë non grata shumica e deputetëve.

Me shifrat e zotit Basha, besoj u habitët sesi me një të rënë të lapsit hoqën 50 mijë anëtarë të partisë sepse nuk deshën Bashën. Pastaj aktet e 15 vetave që janë vetëshpallur kryetarë kryesie merrini me të qeshur.

Unë nuk vendos asnjë kusht që secili faktor opozitar të bëhet bashkë kundër keqqeverisjes së Edi Ramës. Unë interes kam PD dhe demokratët. Qëndrimi ynë i qartë, të zbatohet rregullorja e parlamentit. Çdo devijim do të ketë pasoja, ata që e nxisin të mbajë përgjegjësi.

Qëndrimi im për protestat është i njohur, i bashkohem çdo proteste kundër Edi Ramën.

Ata  (Kryesia) mblidhen vetëm për të përjashtuar, keni dëgjuar të mblidhen ndonjëherë për punë? Jo, mblidhen vetëm për të përjashtuar. Opozita do jetë e unifikuar, çdo përpjekje për ta mbajtur opozitën e përçarë do marrë përgjigjen e merituar.”- tha Bardhi.