Vendosni fjalën kyçe....

Berisha reagon mbi qëndrimin e mbajtur nga Rama: Padroni Vuçiç dhe argati Rama mbrojnë projektin e ndarjes së Kosovës


Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe qëndrimin e mbajtur nga kryeministri Edi Rama.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha e ka quajtur presidentin serb Aleksandër Vuçiç si padron ndërsa kryeministrin shqiptar si argat.

Sakaq ai shton se Rama dhe Vuçiç kërkojnë zhbërjen e Kosovës, duke e cilësuar Ramën si një armik të saj.

Ndërkohë ai thotë se Aleksander Vuçi duhet të ishte prej vitesh në burg për genocidin dhe krimet e tij kundër njerëzimit duke e quajtur këtë të fundit edhe “mashtrues ordiner”.

Postimi i plotë i Berishës:

Kosova toka e askujt, toka e krimit!

Këtë deklaroi dje Pashiqi shqipfolës, Edi Rama!

Padroni Vuçiç dhe argati Rama mbrojnë projektin e ndarjes së Kosovës.

Edi Rama, Pashiqi shqipfolës, lëshon drejt Kosovës akuzat të padëgjuara nga ndonjë njeri tjetër veç nga padroni i tij Vuçiç dhe Sergej Lavrov.

Ai si armik i egër, paraqet Kosovën si tokën e askujt, tokë e krimit dhe kërkon vendosjen nën kontrollin e KFOR-it të 1/3 së teritorit të saj dhe thirrjen e konferencës ndërkombëtare për zhbërjen e saj.
Të dashur miq, të damkosur para shqiptarëve dhe komunitetit euroatlantik, serbomadhi Aleksandër Vuçiç dhe vasali i tij shqipfolës, albanofob, Edi Rama, vazhdojnë përpjekjet për ndarjen e Kosovës. Kështu Vuçiç pas aktit terrorist në Banjskë dhe dështimit të kryengritjes së armatosur të organizuar prej falangave të kontrolluara tërësisht prej tij dhe tërheqjes së detyruar të njësive ushtarake që dislokoi me qëllim fillimin e një konflikti të ri në rajon, ka mobilizuar të gjithë politikën dhe diplomacinë e tij me kërkesën e vendosjes e komunave të veriut nën kontrollin e KFOR.

Këtë kërkesë, që do të thotë de facto shkëputje e 1/3 së Kosovës nga territori i saj me qëllimin e vetëm ndarjen e Republikës së Kosovës, serbomadhi Vuçiç e argumenton me terrorin imagjinar të qeverisë Kurti, dhe në dhunimin po imagjinar në qindra e qindra rasteve të lirive dhe të të drejtave të banorëve serb në këto komuna nga minoranca shqiptare dhe policia e Kosovës.

Mashtrues ordiner Aleksander Vuçi, Goebelsi i Milosheviçit, që duhet të ishte prej vitesh në burg për genocidin dhe krimet e tij kundër njerëzimit, të kryera ndaj shqiptarëve harron se trillimet e tij banale mund t’i shesë vetëm në tregun e Radioçiçve të tij, Edi Ramve dhe askund tjetër. Liritë dhe të drejtat e banorëve serb në komunat në veri të Kosovës janë nën vezhgimin të vazhdueshem të OSBE, Euleks, dhe Agjensive të tjera ndërkombëtare. Kosova demokratike ka plotësuar të gjitha standartet për anëtarësimin në Këshillin e Europës.
Por në kërkesën e tij për vendosjen e veriut të Kosovës nën kontrollin e KFOR-it, krijimin e Republikes së KFOR- it në 1/3 e territorit të Republikës së Kosovës, ai mbështetet publikisht nga argati i tij në Tiranë.

Në të njëjtën kohë me padronin e tij Vuçiç, kreu i ekzekutivit shqiptar Edi Rama, i ciëlsuar këto ditë si kryeministri më i mirë i Serbisë pas Nikolla Pashiq për shërbimet e tij të mëdha ndaj serbomadhisë dhe kundër Kosovës dhe kombit shqiptar, përsërit çdo ditë kërkesën e padronit të tij për vendosjen nën kontrollin e KFOR të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ky shqipfolës, albanofob në prononcime publike paraqet për llogari të Beogradit, Kosovën si tokën e askujt apo jashtë çdo kontolli. Kështu në një intervistë të publikuar dje në Financiale Times, Edi Rama lëshoi drejt Kosovës, vend sovran dhe i pavarur, me standartet demokratike më të mira në rajon, akuza të egra, armiqësore të cilat perveç Vuçiç dhe Sergej Lavrov nuk i ka bërë kush kurrë që nga viti që ajo ka shpallur pavarësinë deri sot.

Edi Rama për të mbështetur pa kushte kërkesën e padronit të tij shprehet: “Kosova është një votër e nxehtë. Ajo në vite është bërë toka e askujt në të cilën të gjitha llojet e krimeve gërshetohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri midis krimit dhe politikës është shuar”.

Kështu pra sipas këtij vasali të Beogradit, Kosova është toka e krimit ndaj dhe nuk ka pse të ekzistojë.
Të akuzosh Kosovën se është tokë e krimit është makabritet me të cilin më së paku përpiqesh të fshehë dhe maskojë sundimin me bjellivukët serb dhe shqiptar të lidhur me Ramën dhe Vuçiçin.

Përveç kësaj Edi Rama përsërit kërkesën e Vuçiçit dhe Lavrovit për thirrjen e një konference ndërkombëtare të cilën Beogradi dhe Kremlini e duan vetëm e vetëm të zhbëjnë arritjet 24 vjeçare të Kosovës në rrugën e lirisë dhe më pas të pavaresisë dhe ta ndajnë atë.

Duke dënuar me forcën më të madhe përpjekjet luftënxitëse, destabilizuese të argatit të Beogradit, Edi Rama dhe padronit të tij serbomadhit Vuçiç i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të vendos të denojë qëndrimet e këtyre autokratëve aventurierë që kërkojnë të ndryshojnë hartën e Ballkanit dhe të zhysin rajonin në një konflikt të ri me qëllimet e tyre, zhbërjen dhe ndarjen e Kosovës midis Serbisë dhe Shqiperisë.