Vendosni fjalën kyçe....

“Tre shtetas serb mbajtën “leksione për grusht shteti” në Tbilisi” – Autoritetet e sigurisë gjeorgjiane


Shërbimi i Sigurisë Shtetërore të Gjeorgjisë ka bërë të ditur se tre shtetas serb kanë vizituar Gjeorgjinë dhe kanë mbajtur leksione për “grusht shteti”, si pjesë e një projekti të mbështetur nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), transmeton Anadolu Agency.

Zyrtari i shërbimit, Bacha Mgeladze, tha se shtetasit serb, Sinisha Shikman, Jelena Stoishiç dhe Slobodan Jinoviç, erdhën në Gjeorgji më 25 shtator si të ftuar të programit të USAID-it “Instituti për Menaxhim Lindje-Perëndim”.

Mgeladze shtoi se arsyeja e deklaruar zyrtarisht për ardhjen e qytetarëve të Serbisë në Gjeorgji ishte trajnimi me temën “Lufta strategjike jo e dhunshme” për grupet që punojnë në fushën e kulturës.

“Megjithatë, hetimi tregoi se ky nuk ishte qëllimi i mbërritjes së këtyre personave në Gjeorgji”, tha Mgeladze.

Ai shtoi se nga data 26 deri më 29 shtator, në një hotel në kryeqytetin Tbilisi, ky grup ka mbajtur leksione për “përgatitjen dhe zbatimin e procesit të përmbysjes së qeverisë me dhunë” për përfaqësues të disa organizatave joqeveritare dhe aktivistë civilë.

Pjesëmarrësit e ligjëratës u informuan për “marrjen e hapave kundër qeverisë, institucioneve shtetërore dhe Kishës Ortodokse Gjeorgjiane, mbylljen e rrugëve për trafikun, ngritjen e tendave para ndërtesave administrative e të tjera”.

“Gjithashtu, ka pasur leksione për tema si rezistenca ndaj arrestimit nga policia, hyrja në ndërtesën e parlamentit dhe mbyllja e transmetuesit”, tha zyrtari.

Mgeladze tha se Shikman, Stoishiç dhe Jinoviç dhanë deklarata para oficerëve të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror si pjesë e hetimit dhe se ata u përpoqën të fshehin arsyen e vërtetë të qëndrimit të tyre në Gjeorgji.

Duke theksuar se hetimi për përgatitjen e pretenduar të një plani për grusht shteti kundër qeverisë së Gjeorgjisë midis tetorit dhe dhjetorit është duke vazhduar, Mgeladze tha se këta njerëz kishin lidhje me revolucionin (Revolucioni i Trëndafilave) që ndodhi në Gjeorgji në vitin 2003, si dhe në procese të ngjashme në Serbi, Ukrainë dhe vende të tjera.

Duke theksuar se shtetasit e lartpërmendur të Serbisë u larguan nga Gjeorgjia më 30 shtator, Mgeladze tha se hetimet vazhdojnë.

Pritet prononcim nga USAID-i

Duke komentuar njoftimin e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, kryeministri gjeorgjian Irakli Garibashvili tha se në vendin e tij po përgatitet një plan grusht shteti nga disa grupe radikale.

Ai deklaroi se këto grupe marrin mbështetje brenda dhe jashtë Gjeorgjisë.

“Kemi parë pjesëmarrjen aktive të vendeve të huaja. Shqetësuese është situata kur shtetasit e një vendi të huaj të vijnë në vend dhe të ofrojnë trajnime të maskuar si trajnues të përfaqësuesve të mjedisit kulturor dhe artistik këtu”, tha Garibashvili.

Ai vuri në dukje se njerëzit e dyshuar për “leksione për grusht shteti” u sollën në Tbilisi nga USAID.

“Ky është sigurisht një fakt i trishtuar, por ne do të presim deklaratën e tyre zyrtare. Ne kemi shumë vite që bashkëpunojmë me USAID-in. Prandaj është për të ardhur keq që po ndodhin gjëra të tilla”, nënvizoi kryeministri gjeorgjian.

Një ditë e zezë në historinë e ndihmës amerikane për Gjeorgjinë

Kryetarja e Parlamentit të Gjeorgjisë, Shalva Papuashvili, gjithashtu komentoi rastin dhe tha se kishte pikëpyetje rreth USAID-it.

“Kjo është një ditë e zezë në historinë e ndihmës amerikane për Gjeorgjinë, ku ne shohim paratë e popullit amerikan që përdoren për të planifikuar procese revolucionare këtu”, tha Papuashvili.

Shërbimi i Sigurimit Shtetëror i Gjeorgjisë publikoi gjithashtu pamjet në lidhje me ligjëratat e mbajtura nga tre shtetas serbë në Tbilisi.