Vendosni fjalën kyçe....

Britania nënshkruan marrëveshje 4.8 miliardë dollarëshe për prodhimin e nëndetëseve


Mbretëria e Bashkuar ka nënshkruar kontrata me vlerë 4 miliardë paund (4.8 miliardë dollarë) me prodhuesit kryesorë britanikë për të zhvilluar nëndetëse të fuqishme sulmi si pjesë e programit AUKUS me Australinë dhe Shtetet e Bashkuara, tha Sekretari i Shtetit i Mbretërisë së Bashkuar për Mbrojtjen Grant Shapps.

“Mund të njoftoj se kemi nënshkruar kontrata me vlerë 4 miliardë paund me bizneset kryesore britanike për të çuar përpara zhvillimin e nëndetëseve më të fuqishme sulmuese të përdorura ndonjëherë nga Marina Mbretërore”, tha Shapps në Konferencën e Partisë Konservatore të vitit 2023.

Shefi i mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar shtoi se nëndetëset e reja do i lejojnë vendit të ruajë përparësinë strategjike nën det dhe do ndihmojë në financimin e mijëra vendeve të punës në vend.

Australia, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar njoftuan një partneritet të ri trepalësh të mbrojtjes të quajtur AUKUS në shtator 2021.

Nisma e parë e shpallur në bazë të paktit të mbrojtjes AUKUS ishte zhvillimi i teknologjisë së nëndetëseve me energji bërthamore për Marinën Mbretërore Australiane, kështu që qeveria australiane vendosi të braktisë marrëveshja e saj, e vlerësuar në atë kohë në 66 miliardë dollarë, me kompaninë franceze ‘Naval Group’ për ndërtimin e nëndetëseve me naftë-elektrike.

Më tej, Shapps tha se Mbretëria e Bashkuar do çojë avionë luftarakë ‘Typhoon’ në Poloni për të mbrojtur aleatin e saj të NATO-s nga një kërcënim i supozuar nga Rusia.