Vendosni fjalën kyçe....

Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës, RENEA operacion gjatë natës në Shkodër


Policia dhe Forcat Renea kanë  zhvilluar gjatë natës një operacion në Bardhaj të Shkodrës, që ka si synim kapjen e personave të cilët janë përfshirë në pengmarrjen e Jak Prengës, i cili dyshohet se u vra dhe më pas u gropos në zonën e Shijakut.

“Sektori për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, Forcat Speciale Renea dhe DVP Shkodër, ka vijuar kontrolle të pandërprera, me qëllim sigurimin e provave për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes mbi rrëmbimin e shtetasit J. P., të ndodhur në rrugën “London”, Kamzë, si dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje me pasojë humbjen e jetës së shtetasit J. P.

Në këtë kuadër, në qytetin e Shkodrës dhe rrethinat e saj, mëngjesin sotëm janë ushtruar kontrolle në banesa, biznese, magazina e objekte të braktisura dhe si rezultat i kontrollit janë siguruar prova të vlefshme që shërbejnë për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes.

Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, vijon veprimet për sigurimin e çdo prove të vlefshme që i shërben ngjarjes, si dhe për kapjen e personave të tjerë që janë të implikuar në këtë ngjarje”.-thuhet në njoftimin e policisë.

Kujtojmë se deri më tani janë arrestuar 5 persona në lidhje me rrëmbimin dhe vrasjen e 49-vjeçarit, i cili u mor peng në 17 janar të këtij viti në Kamëz.

Edhe pse ka patur dyshime se trupi i tij mund të jetë groposur në zonën e Shijakut,  ende nuk është gjetur.

Sipas hetimeve, pengmarrja e Jan Prengës dyshohet se është urdhëruar nga një grup i strukturuar kriminal që operon në trafikun e drogës në Angli.

Vëllai i Prengës dyshohet se kishte për detyrë të dërgonte një ngarkesë me 300 kg kokainë, që mbërrinte nga Amerika Latine. Ai dyshohet se e ka marrë lëndën narkotike, por nuk e ka dorëzuar në destinacion. Dhe për t’i bërë presion është urdhëruar pengmarrja e të vëllait.