Vendosni fjalën kyçe....

Përmbytjet në Libi, familjet ende kërkojnë për të zhdukurit


Muajin e kaluar, qyteti Derna, Libi, u përball me katastrofën natyrore ku shumë lagje u shkatërruan nga përmbytjet, por familjet e mbijetuara ende janë në kërkim të familjarëve të tyre. Një ndër të mbijetuarit Abdusalam Al-Qadi ka qenë në kërkim të babait dhe vëllait të tij, i cili nuk pret t’i gjejë të gjallë, por thjeshtë dëshiron t’i varrosë ata dhe të ketë një varr se ku t’i vajtojë. Së bashku me miqtë, ai ka kërkuar në vendin ku ndodhej shtëpia e familjes së tij. Ai ka pyetur të gjithë spitalet. Ai ka parë shumë nga fotot e 4000 të vdekurve që janë gjetur deri më tani.

Shumë familje tani duhet të pranojnë idenë se mund të mos e dinë kurrë se çfarë ndodhi me prindërit, fëmijët apo të afërmit e tyre, pavarësisht përpjekjeve për të identifikuar të vdekurit, shumë prej të cilëve u varrosën në varreza masive, raporton Reuters.

Derna, një qytet bregdetar në Libinë lindore u zhyt në kaos pas kryengritjes libiane të vitit 2011. Militantët e Shtetit Islamik pushtuan qytetin në vitin 2015, duke vrarë një nga dy vëllezërit e Qadi përpara se të binte në duart e forcave lindore nën Marshallin Khalifa Haftar.

Shkatërrimi tani është në një shkallë tjetër, pavarësisht përpjekjeve të ndihmës. Por banorët, të cilët folën për Reuters javën e kaluar, u ankuan se nuk kishin marrë ndihmë në riparimin e dëmeve apo rindërtimin e shtëpive dhe bizneseve.

Mohammed al-Ghail, 49 vjeç, po përpiqej të pastronte baltën nga dyqani ushqimor i vëllait të tij.  

“Ka mungesë absolute të shtetit për të qetësuar qytetarët. Ne vendosëm të lehtësojmë dhimbjen tonë duke pastruar atë që mundëm për të rikthyer në jetë zonat e prekura”, tha ai.

Kostot e punës tashmë janë rritur ndjeshëm për Khaled al-Fortas, i cili tha se nuk mund të përballojë pagat e larta të kërkuara nga punëtorët për ta ndihmuar atë të pastrojë shtëpinë e tij të dëmtuar.

Për Kadi, prioritet mbetet gjetja e anëtarëve të familjes së tij të humbur, një detyrë e frikshme për të dhe mijëra të tjerë.

“Një qytet i tërë u zhyt në ujë, me njerëz në ndërtesa. Është e pamundur t’ia dalim me aftësitë tona”, tha ai.