Vendosni fjalën kyçe....

“Nga abuzimi me burimet shtetërore te presionet”, OSBE publikon raportin për zgjedhjet e 14 majit


Në raportin final të publikuar nga OSBE-ODHIR për zgjedhjet vendore të 14 majit në Shqipëri se zgjedhjet ishin përgjithësisht të mirëadministruara dhe të zhvilluara me pjesëmarrjen e forcave kryesore politike.

OSBE ka konstatuar se përgjithësisht nuk ka pasur problematika në aspektin administrativ dhe atë të konkurrencës, ndërsa ka nënvizuar ndarjen e thellë të opozitës.

Sipas OSBE-ODHIR, konkurrentët mund të bënin fushatë lirisht, por rastet e keqpërdorimit të burimeve shtetërore në nivel qendror dhe lokal, pretendimet për presion ndaj punonjësve të sektorit publik dhe votuesve, dhe pretendimet për blerje votash ishin shqetësuese.

Sa i takon ditës së zgjedhjeve, OSBE thotë se ishte përgjithësisht paqësore, procesi u ndikua negativisht nga raste të shumta të ndërhyrjeve partiake si dhe nga problemet teknike dhe procedurale, votimi i gjerë në grup dhe problemet me fshehtësinë e votës.

Këto janë disa nga konkluzionet kryesore nga raporti përfundimtar për zgjedhjet vendore në Shqipëri 2023, i publikuar sot nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). Raporti ofron 27 rekomandime për afrimin e zgjedhjeve në Shqipëri në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.

Rekomandimet kryesore përfshijnë:

Identifikimi dhe hetimi i pavarur i të gjitha pretendimeve për shkelje zgjedhore, përfshirë blerjen e votës, presionin ndaj votuesve dhe keqpërdorimin e burimeve shtetërore.

Të rritet ndërgjegjësimi për fenomenin e kahershëm të blerjes së votës dhe dënimi publik i praktikave të tilla.

Zbatimi i masave mbrojtëse efektive që sigurojnë fshehtësinë e votës dhe parandalojnë frikësimin e votuesve, votimin në grup dhe në emër të përfaqësuesit.

Angazhimi për reformën zgjedhore dhe adresimi i të gjitha rekomandimeve të ODIHR-it për të siguruar një kuadër zgjedhor gjithëpërfshirës dhe konsistent.

Rishikimi i dispozitave ligjore në lidhje me fushatën, përfshirë ato kundër keqpërdorimit të burimeve shtetërore, për të hequr paqartësitë dhe për të siguruar kushte të barabarta loje.

Sigurimi i zbatimit të drejtë të ligjit për të drejtën e informimit dhe mbështetja e gazetarisë së pavarur.

Sigurimi i stabilitetit të administratës zgjedhore duke përjashtuar zëvendësimet arbitrare të anëtarëve të administratës zgjedhore dhe duke rishikuar sistemin e emërimit të anëtarëve dhe sekretarëve të komisioneve të nivelit më të ulët.

Shmangia ose kufizimi i përdorimit të materialeve të paatribuara të prodhuara nga partitë ose autoritetet shtetërore në programet e lajmeve dhe informative gjatë fushatës zgjedhore.