Vendosni fjalën kyçe....

Marrëveshja e fshehtë/ Izraeli mund të lejojë Arabinë Saudite të pasurojë uranium – WSJ


Izraeli ka punuar fshehurazi me SHBA-në për të krijuar një operacion pasurimi të uraniumit në Arabinë Saudite, si pjesë e përpjekjeve për të arritur një marrëveshje normalizimi me mbretërinë, sipas një raporti të Wall Street Journal të enjten.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka udhëzuar specialistët izraelitë bërthamorë dhe të sigurisë që të bashkëpunojnë me SHBA-në, ndërsa Uashingtoni shqyrton mundësitë për të ndihmuar Arabinë Saudite të pasurojë uraniumin, thuhet në raport.

Mbretëria thotë se kërkon garanci sigurie nga SHBA, më pak kufizime në shitjet e armëve dhe disa lëshime nga Izraeli për konfliktin palestinez. Megjithatë, kërkesa e saj për ndihmë në zhvillimin e një programi bërthamor civil mund të jetë më e diskutueshme.

Në një intervistë me Fox News të mërkurën, Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman deklaroi qartë se vendi i tij do përpiqej të merrte armë bërthamore nëse Irani do t’i zhvillonte ato.

“Nëse ata sigurojnë një armë bërthamre, ne duhet ta marrim një të tillë”, tha ai.

“Për arsye sigurie dhe për ekuilibrimin e pushtetit në Lindjen e Mesme. Por ne nuk duam tarrijmë në këtë pikë.”

Në përgjigje të raportit, kreu i opozitës izraelite Yair Lapid paralajmëroi për një “garë armësh bërthamore” në Lindjen e Mesme, duke e kritikuar qeverinë Netanyahu si “të pamatur dhe të papërgjegjshëm”.

“Izraeli nuk duhet të pajtohet me asnjë lloj pasurimi të uraniumit në Arabinë Saudite,” tha ai.

Pasurimi i uraniumit është një hap i rëndësishëm në rrugën drejt zhvillimit të armëve bërthamore. Irani është i vetmi vend tjetër i Lindjes së Mesme që ka pasuruar publikisht uranium.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë shënjestruar prej kohësh programin e Iranit – si nëpërmjet sanksioneve ekonomike ashtu edhe me mjete të fshehta – për ta penguar atë nga marrja e armëve bërthamore. Izraeli është kuptuar gjerësisht se ka armë bërthamore, por qeveria e tij refuzon ta pranojë atë.

SHBA eksploron centrifugat vetëshkatërruese

Administrata Biden ka shtuar përpjekjet për të bindur Riadin që të normalizojë lidhjet me Izraelin. Megjithëse të dy bashkëpunojnë në çështjet ekonomike dhe të sigurisë, Riadi nuk ishte palë e Marrëveshjes së Abrahamit të vitit 2020 që pa Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Marokun të vendosin lidhje zyrtare me Izraelin, megjithëse ai e mbështeti masën, thonë analistët.

Administrata Biden tani po nxjerr një plan që do shihte Arabinë Saudite të ketë një sistem pasurimi të uraniumit të menaxhuar nga SHBA, në një përpjekje për të joshur mbretërinë për të vendosur lidhje me Izraelin. Presidenti Biden ende nuk e ka nënshkruar idenë, e cila është ende në fazat e hershme, raportoi WSJ.

Megjithëse Arabia Saudite dëshiron programin e saj, mbretëria është e hapur për të pasur një strukturë të drejtuar nga SHBA-ja, raporton WSJ.

Administrata Biden po shqyrton një strukturë që mund të ketë sisteme mbylljeje në largësi ose mekanizma të brendshëm të projektuar për të shkatërruar centrifugat në central. Megjithatë, nëse Arabia Saudite ka një prani fizike në objekt, ajo mund të bllokojë përpjekjet për ta mbyllur atë ose për të çaktivizuar mekanizmin.

Çdo marrëveshje do ishte një kthesë e jashtëzakonshme për Shtëpinë e Bardhë, pasi Presidenti Biden u zotua ta bënte Princin e Kurorës Mohammed Bin Salman një ‘të dëbuar’ mbi çështjet e të drejtave të njeriut.

SHBA u kërkon vendeve që kërkojnë të bashkëpunojnë në teknologjinë bërthamore të nënshkruajnë një marrëveshje 123, e cila u ndalon atyre pasurimin dhe shitjen e uraniumit.

Në vitin 2009, SHBA nënshkroi një marrëveshje për zhvillimin bërthamor me Emiratet e Bashkuara Arabe, duke i penguar ato nga pasurimi i uraniumit. Arabia Saudite ka kërkuar prej kohësh ndihmën e Uashingtonit për programin e saj bërthamor, por ka qenë i pasuksesshëm për shkak të këmbënguljes së saj për pasurim.

Riadi ka hartuar një rrugë të pavarur nga Uashingtoni në politikën e jashtme dhe thuhet se ka paraqitur një ofertë kineze për ta ndihmuar atë të ndërtojë një termocentral bërthamor, në një përpjekje ‘për t’i bërë’ presion Uashingtonit.

Netanyahu diskutoi bashkëpunimin izraelit në dosjen bërthamore me Biden në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të mërkurën. Nëse ai mbështet pasurimin, do e vinte atë në mosmarrëveshje me anëtarët e tjerë të qeverisë së tij. Në qershor, ministri i Energjisë i Izraelit tha se ai personalisht kundërshtoi përpjekjet e Arabisë Saudite për të zhvilluar një program bërthamor civil.

Izraeli nuk ka të drejtën e vetos për transferimin e teknologjisë bërthamore të SHBA-së, por Uashingtoni është këshilluar prej kohësh me aleatin e tij më të afërt të Lindjes së Mesme për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes për të siguruar që ai të mbajë një ‘përparësi ushtarake cilësore’ kundër shteteve në rajon.

Yoel Guzansky, një ekspert i Gjirit në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare me bazë në Tel Aviv, i cili më parë ka shërbyer në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit, i tha Middle East Eye se do ishte gabim që Izraeli të pajtohej me kërkesat bërthamore të Arabisë Saudite.

“Nëse çmimi për paqen po i jep Arabisë Saudite aftësi pasurimi, unë mendoj se është shumë i lartë. Kush e di se çfarë do bënte MBS [Princi i Kurorës Mohammed bin Salman] në pesë vjet apo edhe vitin e ardhshëm me atë kartë.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e MEE

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani