Vendosni fjalën kyçe....

Tanimë në SHBA edhe ushqimi në shkolla është racist


Dhjetra grupe aktiviste në SHBA kanë nënshkruar një letër që akuzon qeverinë federale për “racizëm dietik” në programin e saj për drekat e subvencionuara që ofrohen në shkolla.

Aktivistët pretendojnëse USDA (Departamenti i Agrikulturës i Shteteve të Bashkuara) “po detyron” miliona fëmijë jo të bardhë dhe intolerantë ndaj laktozës të pinë qumësht lope.

Programi Kombëtar i Drekës së Shkollës (NSLP) është “në thelb i pabarabartë dhe i padrejtë social”, thanë grupet në një letër drejtuar Komisionit të Barazisë së USDA.

Letra, e cila u raportua për herë të parë nga The Hill të martën, shtoi se “fëmijët zezakë, vendas amerikanë, aziatikë dhe latinë po ndëshkohen për racën dhe trashëgiminë e tyre”.

Programi NSLP ofron dreka falas ose me zbritje për rreth 30 milionë fëmijë në 100 mijë shkolla në të gjithë SHBA-në. Megjithëse gati gjysma e fëmijëve që kualifikohen për një ndihmë të tillë janë të bardhë, sipas Qendrës Kombëtare për Statistikat e Arsimit, grupet aktiviste thanë se fëmijët jo të bardhë varen në mënyrë disproporcionale nga vaktet e subvencionuara. Ata argumentuan gjithashtu se fëmijët jo të bardhë kanë shkallë shumë më të lartë të intolerancës ndaj laktozës.

“Nëse jetët e zezakëve kanë rëndësi, shëndeti dhe ushqimi ynë gjithashtu kanë rëndësi, por Programi Kombëtar i Drekës në Shkollë i ka dështuar vazhdimisht fëmijët me ngjyrë.”– tha Dr. Milton Mills, një mjek në Uashington që mbron dietat me bazë bimore.

“Ose nxënësit e shkollës pinë qumështin që u është dhënë dhe vuajnë në klasë ndërkohë që po përpiqen të mësojnë, ose ata shkojnë pa një pjesë të rëndësishme ushqimore të vaktit të tyre.”

Sipas aktivistëve, NSLP i rimburson shkollat ​​vetëm nëse ato ofrojnë qumësht lope dhe mund të kërkohet një shënim me shkrim i mjekut për të lejuar një alternativë jo-bulmetore.

“Është qartësisht diskriminuese të kërkosh shënimin e mjekut për një gjendje pothuajse të kudogjendur.”- thuhej në letër.

Megjithatë pavarësisht akuzave, udhëzimet e NSLP-së theksojnë qartë se mjafton vetëm një deklaratë me shkrim nga prindi ose kujdestari i një studenti për t’i shërbyer një alternativë tjetër. Programi kërkon gjithashtu që shkollat ​​gjithashtu të vënë ujin në dispozicion të studentëve gjatë drekës.