Vendosni fjalën kyçe....

Shkon mbi 1000 numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm në Marok


Ka shkuar në të paktën 1,037 numri i të vdekurve dhe në 721 i të plagosurve, nga tërmeti i fuqishëm që goditi Marokun, sipas Ministrisë së Brendshme të vendit.

Vdekje nga tërmeti me magnitudë 7.0 ndodhën në rajone të ndryshme, duke përfshirë provincat Al Haouz dhe Marrakesh, si dhe qytetet Ouarzazate, Azilal, Chichaoua dhe Taroudant, tha ministria në një deklaratë, sipas AA.

Tërmeti ishte lëkundja më e fortë që goditi vendin e Afrikës së Veriut në shekullin e kaluar, tha Instituti Kombëtar Gjeofizik i Marokut.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) tha se epiqendra e tërmetit, i cili goditi pak pas orës 23:00. koha lokale (22:00 GMT), ishte 75 kilometra (46.6 milje) në juglindje të Marrakech, në një thellësi prej 18.5 km.

Videot në mediat sociale kapën pasojat e menjëhershme dhe treguan banorët që derdheshin në rrugë.

Situata u tha të ishte veçanërisht e rëndë në rajonin e Marrakech, ku u tha se shumë ndërtesa u shembën dhe banorët u bllokuan nën rrënoja.

Mediat lokale thanë se disa ndërtesa, duke përfshirë muret e famshme të kuqe që rrethojnë qytetin e vjetër, një Trashëgimi Botërore e UNESCO-s, janë dëmtuar.

Forcat e Armatosura Mbretërore u bënë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe i drejtuan drejt zonave të sigurta për t’i mbrojtur nga pasgoditjet.

Lëkundjet u ndjenë edhe në Algjerinë dhe Mauritaninë fqinje.

Autoritetet marokene kanë nisur një operacion për të ofruar ndihma në zonat e goditura nga tërmeti, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve MAP.

“Shtatë kamionë të ngarkuar me batanije, shtretër kampi dhe pajisje ndriçimi janë gati në fshatin Al Arjat në qytetin verior të Sale për t’u dorëzuar banorëve të zonave të prekura,” tha MAP.